Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë para takimit të samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor në Bruksel, se Kosova është e përkushtuar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, teksa draft-statuti i asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Në një konferencë për media, e para e vendit tonë e quajti të rëndësishme vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Beogradit zyrtar dhe forcimin e kontrollit të kufirit me Serbinë, në mënyrë që të pamundësohet futja e armatimit dhe grupeve të ngjashme me ato të sulmeve të 24 shtatorit në Banjska.
“Masat financiare nga Bashkimi Evropian, kjo është ajo që Vuçiq do ta kuptonte si masë, dhe shpresojmë se kjo do ta pengonte atë të sulmonte përsëri, sepse kështu ai do ta dinte që nuk mund t’i shmanget ndëshkimit. Dhe së dyti, kur bëhet fjalë për NATO-n, sigurisht që po punojmë shumë ngushtë me NATO-n për të vazhduar forcimin e sigurisë së kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të mos ketë më kontrabandë armësh dhe të mos hynin terroristë, burra me uniforma të gjelbra dhe me automjetet e tyre të armatosura përmes të cilave ata kanë rrezikuar, jo vetëm jetën e qytetarëve tanë dhe burrave dhe grave tona në uniformë, por edhe kanë rrezikuar stafin e KFOR-it dhe EULEX-it”, ka thënë Osmani.
Ajo ka folur edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për të cilin tha se Kosova është palë konstruktive.
“Kosova është absolutisht e përkushtuar për procesin e normalizimit me Serbinë, prandaj më 26 tetor Kosova ka ofruar nënshkrimin e marrëveshjes që është arritur në Bruksel, aneksit që është arritur në Ohër dhe të gjitha dokumentet pasuese. Kosova po tregon gjithë përkushtimin e saj si palë konstruktive në këtë proces të dialogut dhe unë do të tregoj edhe një herë sot përkushtimin e Republikës së Kosovës për zbatimin e plotë të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Megjithatë, si në çdo proces tjetër dialogu, ky është një proces në të cilin duhen dy për tango. Ne presim që Bashkimi Evropian të ketë një sërë kërkesash edhe nga Serbia, sepse marrëveshja është shumë e qartë. Sigurisht që Serbia kërkon zbatimin e një numri nenesh, në radhë të parë nenin 4 të asaj marrëveshjeje, i cili kërkon që ajo të ndalojë bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare. Pra, sigurisht që ne nuk po ikim nga detyrimet tona, ne jemi plotësisht të përkushtuar, por është një rrugë e dyanshme, ndaj duhet ta zbatojë edhe pala tjetër,” tha Osmani.
Teksa ka folur për draft-statutin për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentja Osmani tha se ky dokument duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuesja dhe duhet siguruar se nuk do të ketë krijim të një Republike Serbe.
“Natyrisht, ajo marrëveshje, Marrëveshja e Brukselit, përfshin edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, siç e dini, më 21 tetor të dërguarit specialë kanë propozuar një draft statut për disa komuna me shumicë. Tani ai draft statut duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për të kontrolluar përputhshmërinë me Kushtetutën e Kosovës, dhe sigurisht, nëse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, nëse nuk krijon një shtresë të re të qeverisjes, nëse nuk paraqet ndonjë rrezik përpara për një Republikë Serbe të ardhshme, sigurisht që do të zbatohet, dhe sigurisht ata që e kanë hartuar besojnë se nuk krijon asnjërën nga këto, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës është organi i vetëm që mund ta japë atë konfirmim”, u shpreh Osmani. /KosovaPress