Osmani në Kumanovë: BDI e ka fisnikëruar angazhimin politik. KM shqiptar projekt i Ahmetit për barazi etnike

Për aktualitetet e fundit politike, kryeministrin e ardhshëm shqiptar dhe të fundit nga diplomacia, Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani sot ka bashkëbiseduar me qytetarët e Kumanovës, ngjarje kjo nën organizimin e BDI-së Dega në Kumanovë.

Marketing

Ministri Osmani duke shprehur mirënjohje për numrin e madh të qytetarëve të tubuar theksoi se është obligim që secili të bëhet pjesë e angazhimit politik.

“Forumet tona po shndërrohen në akademi, janë shkollë politike. Është obligim i gjithësecilit të angazhohet politikisht, sepse BDI e ka fisnikëruar angazhimin politik, dhe kjo falë qasjes se Ali Ahmetit ndaj politikës”, tha Osmani para qytetarëve.

Ai porositi se formati i organizimeve të Degës së BDI-së në Kumanovë është shembull që duhet ta ndjekin edhe Degët tjera të partisë, duke organizuar takime me bartës të funksioneve për bashkëbisedime dhe llogaridhënie para së gjithash.

Kryediplomati Osmani në fjalën e tij vendosi theksin edhe mbi rëndësinë e Kryeministrit të ardhshëm shqiptar në Maqedoninë e Veriut. “Kryeministri shqiptar është pjesë e projektit të Ali Ahmetit për barazi etnike”, veçoi Osmani.