Eksperti amerikan paralajmëron: Ka rrezik për dhunë me motive etnike në Ballkanin Perëndimor

Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetown dhe ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ka komentuar situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke thënë se ekziston rreziku për përshkallëzim të dhunës me motive etnike në rajon.

Marketing

Sipas tij ka qartësisht një rrezik duke u bazuar në zhvillimet në veri të Kosovës pas agresionit të 24 shtatorit në Banjskë.

“Situata në Kosovë nuk është përmirësuar që kur vendi shpalli pavarësinë dhe në fakt kemi parë regres së fundmi, për shkak të disa veprimeve të Qeverisë në Prishtinë, si ndryshimi i targave, kartave të identitetit, vendosja e kryetarëve në komunat veriore, pavarësisht se ata u zgjodhën nga një përqindje shumë e ulët e popullatës. Këto konsiderohen veprime provokuese nga serbët dhe Beogradi dhe për pasojë, propozimi shumë konstruktiv nga BE për normalizimin e marrëdhënieve ka ngecur. Kemi dëgjuar raportime për mobilizim të ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën, NATO flet për shtim të përhershëm të KFOR. Mund të dalim në përfundimin se rastet e izoluara të dhunës mund të përshkallëzohen,” sqaroi Kupchan për Euronews.al.

I pyetur nëse veprimet e Qeverisë së Kosovës janë të drejta, Kupchan sqaron se përtej justifikimit ligjor dhe moral, Kryeministri Albin Kurti nuk po vepron në mënyrë të mençur në aspektin politik.

“Nuk ka dyshim se Prishtina ka të drejtën ligjore dhe morale të dojë territorin që është pjesë e Kosovës sovrane dhe të pavarur, dhe t’ia bashkojë qeverisë qendrore, t’i integrojë ata në një shoqëri më të gjerë multi-etnike. Nëse hapat e ndërmarra nga Kurti janë produktive ose jo, ky është tjetër debat. Mendoj se Qeveria aktuale ka ndërmarrë disa hapa që e kanë dëmtuar pozitën e Kosovës në syrin e opinionit publik. Në kohën e ndërhyrjes së NATO-s që çoi në ndarjen e Kosovës nga Serbia, opinioni publik ishte në krahun e Kosovës dhe Serbia, Vuçiq dhe ata që vinin para tij shiheshin si problemi. Tani kemi një situatë ku SHBA dhe BE e shohin Prishtinën si problem. Po ndërmerr veprime që nuk e ndihmojnë vendin kur bëhet fjalë për të përparuar drejt marrëveshjes që BE ka vënë në tryezë. Edhe nëse ajo që Kurti po bën është e justifikuar ligjërisht dhe moralisht, nuk është politikisht e mençur”.