Osmani: Si kryesues të A5, vendosëm bazat për Koncept të ri Strategjik të Kartës

Në kuadër të Kryesimit të Maqedonisë së Veriut me SHBA-Karta e Adriatikut, në Shkup u mbajt takimi përmbyllës i Komisionit të Partneritetit të SHBA- Karta e Adriatikut (A5), me të cilin përmbyllet kryesimi ynë i sivjetëm me iniciativën.

Marketing

Në fokus të diskutimeve ishin arritjet dhe e ardhmja e Kartës, si dhe situata aktuale në Ballkanin Perëndimor.

“Ne përpiluam dhe harmonizuam dokument për “Qasje e re politike të Kartës në dekadën e tretë të formimit të saj”, me çka i vendosëm bazat për krijimin e një Koncepti të ri Strategjik të A5. Këtu qëllimi kryesor është forcimi i bashkëpunimit të vendeve të Kartës që janë anëtare të NATO-s, si dhe ofrimi i mundësisë për angazhim më të madh dhe afrim me vlerat e Aleancës të vendeve A5 që nuk janë ende anëtare të NATO-s. Gjithashtu, krahas aktiviteteve tradicionale të A5, gjatë kryesimit tonë zhvilluam edhe një sërë takimesh të tjera në nivel ministror dhe të ekspertëve, kushtuar temave dhe sfidave urgjente dhe aktuale me të cilat ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu propozuam dhe miratuam deklarata të përbashkëta, në të cilat theksohej bashkëpunimi i ndërsjellë, rëndësia e A5 dhe përkrahja e përbashkët e vendeve anëtare për Ukrainën”, tha ministri Osmani.

Ministri e theksoi edhe punën për promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe përvojën tonë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore si një nxitje për të kapërcyer çështjet e mbetura të hapura në Ballkan.

“Këtu dua t’i referohem sulmit të dhunshëm të ndodhur kohëve të fundit në Banjska, në veri të Kosovës nga paraushtarakët serbë, për ta dënuar ashpër dhe për të kërkuar përgjegjësi për autorët e tij. Incidenti i tillë kaq i rëndë ka potencial ta destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe të gjithë rajonin, prandaj edhe nuk duhet të përsëritet”, theksoi Osmani dhe shprehu pritjen e tij për anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në A5, që do të kontribuojë në promovimin e gjithëpërfshirjes, bashkëpunimit dhe stabilitetit në rajon.

Në vitin 2024, me A5 do të kryesojë Shqipëria, ku Ministri Osmani kryesuesit të ri me iniciativën, Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasanit, i uron suksese dhe i ofron mbështetje të plotë.

Maqedonia e Veriut kryesoi me A5 në vitin kur shënuam 20 vjetorin e themelimit të Kartës dhe ky kryesim ishte i pari si vend anëtar i NATO-s. Në iniciativën, përveç Maqedonisë së Veriut, vende anëtare janë edhe Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Mali i Zi, ndërsa Kosova, Sllovenia dhe Serbia kanë statusin e vendeve vëzhguese. Iniciativës, peshë të veçantë politike i jep anëtarësimi i partnerit tonë strategjik, SHBA-ja.