A ka lojëra politike për anëtarin në KSHZ?

Kreu i Partisë Demokratike Evropiane, Arjanit Hoxha, mohon të ketë ndonjë bashkëpunim të fshehtë me Aleancën për Shqiptarët sa i përket kandidatit për anëtar që do të plotësonte vendin vakant në KSHZ. Sipas Hoxhës, kandidati Zylfi Adili për ta ka qenë më i përshtatshëm nga gjithsej pesë kandidatët që kanë figuruar në listë.

Marketing

“Unë mund t’iu them me përgjegjësi të plotë se nga mua nuk është kërkuar nga Aleanca për Shqiptarët për të mbështetur ose jo. As nuk kam patur ndonjë komunikim sa i takon KSHZ-së me Aleancën për Shqiptarët se cilin duhet t’a propozojmë ne sepse është çështje e tematikave dhe problematikave të tyre. Sa jam i informuar, ASH nuk ka patur letër nga kryetari Talat Xhaferi”, tha Arjanit Hoxha, kryetar i PDE-së.

-A është e vërtetë se përmes juve po e luajnë lojën që ta marin vendin në KSHZ?
“Jo aspak! Unë mund t’iu tregoj me përgjegjësinë më të madhe se nuk kam asnjëlloj komunikimi me ASH sa i takon propozimit për KSHZ-në”, shtoi Arjanit Hoxha, kryetar i PDE-së.

Se nuk është pjesë e lojërave politike, për TV21 e thotë edhe vet kandidati për anëtar në KSHZ, Zylfi Adili. Pohon se e ka ndjekur konkursin dhe ka aplikuar sepse i ka plotësuar të gjitha kushtet.

“Nuk jam anëtar i asnjë subjekti politik. Kam miq nga Aleanca për Shqiptarët mirëpo tanimë një kohë të gjatë nuk jam marrë me politikë. Kam konkuruar vullnetarisht sepse plotësoja kërkesat që dilnin nga konkursi. Kushtet ligjore i plotësoj, kam dërguar CV-në dhe dokumentet e nevojshme. Kreu i Kuvendit ua ka dërguar kërkesën partive politike për të propozuar kandidatët e tyre, tani është çështje e partive politike se kë do të mbështesin”, tha Zylfi Adili, kandidat për anëtar në KSHZ.

Dyshimet për lojëra politike mes ASH-së dhe PDE-së për kandidaturën e Adilit lindën pasi deputeti i Besës, Fadil Zendeli, tha se ASH përmes partive satelite dëshiron ta imponojë dhe ta merr vendin e lirë në KSHZ, vend ky i cili sipas tij, i takon opozitës shqiptare, respektivisht partive politike të cilat kanë marë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare.