Ndihma shtetërore për nxënësit, rrëmuja zhvendoset në banka

Ka vazhduar edhe sot tollovia dhe pritjet e gjata para sporteleve të bankave për të siguruar dokumentet e nevojshme për bursat sociale të nxënësve. Prindërit që prisnin radhë para bankës, për Alsat janë shprehur se kjo është nëpërkëmbje e dinjitetit dhe tallje me nxënësit.

Marketing

“Nuk është normale kjo por çka me bë, skamja na detyron, s’ka ka na vijnë të hyra, kjo është tallje me njerëzit por s’kemi çka bëjmë”.

“Ko nuk është aspak normale, aspak, asgjë s’është normale këtu, shikoni si rinë njerëzit. Por kjo është puna e shtetit e Ali Ahmetit”.

“Deri ditën e djeshme tek Enti për punë sociale dhe tek bankat, kështu ishte tollovia me prindërit që tentonin të sigurojnë dokumentet e nevojshme për bursat sociale, ndërsa nga sot edhe nëpër shkolla vazhdon kjo ngatërresë apo tollovi. Të punësuarit nëpër shkolla që pranojnë dokumentet thonë se kjo ua merr kohën duke i detyruar të punojnë shpesh edhe deri në orën 10 të natës, ndërsa ua merr kohën për punët administrative që duhet ti bëjnë për shkollat”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.

“Vërtetë është tepër e lodhshme besoni. Tashmë jam hequr prej procesit arsimor sepse e ndjej obligim moral t’iu ndihmojmë nxënësve edhe pse është një ndihmë e vogël solide. Sigurisht se na mbeten pas punët sepse gjithë jemi në proces dhe realisht na ngec puna administrative. Unë si pedagog tani në përfundim të gjysmë vjetorit duhet të merrem me evidencën pedagogjike por besoj që do ia dalim”, tha Astrit Abdullai, pedagog në gjimanzin “Kiril Pejçinoviq”.

“Një javë para përfundimit të gjysmë vjetorit jepet lajmi për bursat sociale për kategoritë me të hyra nën 50.000 denarë, kjo është një defokusim total nga mësimi dhe tallje me këtë kategori familjesh që kanë të ardhura më të ulëta. Gjithsesi kjo është një tregues i fuqishëm se në çfarë niveli janë degraduar familjet dhe shoqëria në aspektin social si rezultatet i politikave ekonomike të gabuara”, deklaroi Binaz Pajaziti, Drejtor i shkollës së mesme të mjekësisë “Nikolla Shtejn”.

Ka reaguar edhe opozita. Lëvizja BESA këtë akt të Ministrisë së Arsimit e quan tallje me popullatën.

“Ministria e Arsimit dhe ministri i saj dështak Jeton Shaqiri, duhet që bashkë me shefin e tyre Artanin, të përgjigjen se përse kjo ndihmë financiare për nxënësit vjen pikërisht në prag të zgjedhjeve edhe atë fiks gjashtë muaj, pra vetëm, derisa të përfundoj procesi zgjedhor? Përse Ministria këto para nuk i ndau që të sigurojë libra për nxënësit, që të njëjtët të mund të zhvillojnë procesin edukativo-arsimor si duhet, dhe jo t’ua laj kokën me akull gjoja se i ndihmon financiarisht, e nga ana tjetër, nuk është e aftë për të siguruar as librat për këto nxënës”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.

Sipas vendimit të qeverisë, një ndihmë financiare prej 1200 denarësh do t’u paguhet nxënësve të shkollave fillore, dhe 1800 denarë nxënësve të shkollave të mesme, prindërit e të cilëve kanë të ardhura mujore deri në 50,000 denarë. Afati i aplikimit për ndihmë shtetërore është deri më 25 dhjetor.