Kasami: Nëse nuk na jepet anëtari në KSHZ, ditën e votimit mund të mos lejojmë hapjen e kutive në Çair, Tetovë dhe Zhelinë

Bilall Kasami nga Lidhja Europiane për Ndryshim thotë se në rast se deri në fund të vitit nuk plotësohet kërkesa e tyre për anëtar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, do të radikalizojnë shfaqjen e pakënaqësisë.

Marketing

Kasami tha se si bllok opozitar kanë fuqinë që të mbledhin 10.000 qytetarë para Kuvendit, ndërsa pohoi se në atë rast do të shqyrtohej mundësia që mos të lejohej hapja e kutive të votimit në Çair, Tetovë dhe Zhelinë.

“Ne do të shikojmë të gjitha format tjera, duke nisur nga bojkotimi i Kuvendit, protestat, bllokada e Kuvendit, deri në atë të fundit që e kemi analizuar dhe e shqyrtojmë si mundësi, që në komunat që udhëhiqen nga opozita shqiptare, në këtë rast Tetovën, Zhelinën dhe Çairin, mos të lejojmë që ditën e zgjedhjeve të hapen kutitë e votimit.

Nuk jemi opozitë me kapacitet të pamjaftueshëm për të mbrojtur të drejtën tonë, nuk mundet një opozitë me 3 parti politike, me tre komuna me 5-6 deputetë në Kuvend, të ia mohojnë një të drejtë. Ne kemi mundësi 10.000 qytetarë t’i nxjerrim para Kuvendit”, tha Kasami.