Forcat e policisë kanë shpërndarë protestuesit e mbledhur në qendër të Beogradit, në protestën e shtatë përmes së cilës opozita serbe kërkoi anulimin e zgjedhjeve në Serbi.
Përfaqësuesit e listës opozitare “Serbia kundër dhunës” tentuan të hynin në ndërtesën e Kuvendit, në mënyrë që t’iu adresoheshin qytetarëve nga ballkoni i Kuvendit.
Ata shtynë derën, por nuk arritën të hynin, pasi u ndaluan nga policia. Dera u thye nga ata, njëkohësisht edhe një pjesë e xhamave të godinës.
Policia e përgjigj me gaz lotsjellës në përpjekje për të ndaluar agravimin e gjendjes. Në hyrjen kryesore të Kuvendit, policia ka bërë thirrje për të ndaluar veprimet pasi hyrja me forcë në një institucion shtetëror është vepër penale.
Pas incidenteve para Kuvendit serb, përmes një adresimi për publikun nga Presidenca e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, iu drejtua qytetarëve serbë që të mos shqetësohen, teksa më tej shtoi:
“Asnjë revolucion nuk është duke u zhvilluar, dhe ne po mundohemi që të mos lëndojmë asnjë nga demonstruesit përmes një reagimi të lehtë”.
Megjithatë, presidenti serb tha se autoritetet nuk do të lejojnë që protestuesit të shkatërrojnë vendin.
“Vuçiç hajdut”, kjo është shprehja e cila ka shoqëruar protestuesit në Beograd mbrëmjen e sotme.
Sipas rezultateve paraprake të komisionit shtetëror zgjedhor, Partia Populiste Progresive Serbe (SNS) në pushtet fitoi 46.72% të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Protestuesit kërkojnë anulimin e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të cilat u finalizuan një jave më parë, për të cilat vëzhguesit ndërkombëtarë raportuan se ishin të padrejta.