A po hapet rruga e rigjykimit për rastin “Alfa”?

Gjykata Supreme mbajti sot seancën publike për rastin e koduar “Alfa”, që ka të bëjë me vrasjen e një polici dhe plagosjen e dy të tjerëve në vitin 2008 në Shkup, e për të cilin u dënuan tre persona me burgim të përjetshëm dhe një me 6 vjet burg, shkruan gazeta LAJM.

Marketing

Vendimi për seancën e sotme pritet të merret në janar të vitit të ardhshëm.

“U mbajt seanca dhe e njëjta nuk u anulua si deri tani. Jemi të kënaqur në aspektin profesional të gjykatës supreme e cila e mbaroi ashtu siç duhet këtë gjykim, këtë seancë. Vendim nuk mund të merret sot, në të njejtën ditë. Presim për vendimin ditët në vijim. Janë procedurat e gjykatës që duhet t’i presim. Me rëndësi është që u mbajt gjykimi”, tha për gazetën LAJM, Ramiz Dauti, i cili në vitin 2008 ishte i arrestuar bashkë me Agim Ismalin për këtë rast, por më pas u la i lirë.

Dauti, pret vendim pozitiv nëse, siç thotë, do të ketë gjykim të pa ndikuar nga politika.

“Ne presim që vendimi të jetë pozitiv, si për Almirin, si për Agimin pasi nuk kanë lidhje mes vete. Ne shpresojmë për një gjykim pozitiv. Vetëm të gjykohet drejtë dhe në mënyrë profesionale pa ndonjë ndikim politik. Ne jemi të bindur që do të shpallet diçka pozitive sepse flasim në bazë të fakteve dhe argumenteve që i posedojmë. Pas kësaj duhet të pritet të merret Gjykata Themelore me kërkesën tonë për rigjykim të rastit, konkretisht për Agimin”, u shpreh Dauti për gazetën LAJM.

Më 26 nëntor të vitit 2008 në Shkup ndodhi vrasja e një polici të njësitit “Alfa” Afrim Arifi, në afërsi të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore ndërsa mbetën rëndë të plagosur edhe dy policë të tjerë.

Dy vite më vonë, më 30 prill të vitit 2010 për këtë vrasje u dënuan me burg të përjetshëm Rexhail Qerimi nga Opaja e Kumanovës dhe Agim Islami nga fshati Rashçe i Shkupit. Gjithashtu, me gjashtë vite burg u dënua edhe Ramadan Shaqiri. Derisa ishte në arrati, me burg të përjetshëm u dënua erdhe Almir Drplani, që më vonë u ekstradua në Maqedoni.

Ndërkaq, më 27 janar të vitit 2022 në Burgun e Idrizovës ndërroi jetë Rexhail Qerimi njëri nga të akuzuarit me burg të përjetshëm, në këtë rast.

Marketing