Mësimdhënësit e shkollave të komunës së Haraçinës mbesin pa K15

Mbi 160 mësimdhënës të shkollave fillore në Haraçinë mbetën pa regresin e pushimit vjetor të paraparë me marrëveshjen e përgjithshme kolektive për sektorin publik, shkruan Alsat..

Marketing

Mësimdhënësit shprehen të revoltuar dhe të diskriminuar duke kujtuar se po përsëritet manipulimi që i’u bë në kohën e pandemisë, kur bën punë të dyfishtë me prezencë fizike dhe nuk u paguan shtesë.

“Në rast se nuk i marrim, jemi të gatshëm kështu të gjithë së bashku me kolegët e mi, me revoltin tonë mos të heshtim dhe njëherë e përgjithmonë të përfundon ky manipulim me mësimdhënësit. Të gjitha shkollat i kanë marrë, pse shkolla jonë mos me i marr. Kështu ka ndodhë edhe në kohën e pandemisë, ne mësimdhënësit që kemi punuar me prani fizike…na manipuluan edhe të njëjtin rast po e përsërisin”, tha Florime Leskovica, mësimdhënëse.

Përveç revoltës, mësimdhënësit nuk përjashtojnë edhe bojkotin e mësimit në gjysmëvjetorin e dytë.

“Pse mos të ketë për ne regres kur të hollat janë të lëshuara nga Ministria e Financave special për arsimtarët e kësaj shkolle. Shkaqet neve nuk i dimë fare aspak se cilat janë dhe ku qëndron problemi. Fatkeqësisht, nuk duhet të lejohet ose të lejojmë që të vij ta bojkotojmë mësimin”, u shpreh Albert Hajdari, mësimdhënës.

Kreu i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi tha se regresi nuk u realizua për shkak të një lëshimi në përllogaritjen e pagave për muajin nëntor. Sipas Ibrahimit, pagesa do të bëhet në fillim të Janarit.

“Meqenëse nga administrata e shkollës nuk kishin arrit ta kalkulojnë rrogën për nëntorin mjaftueshëm dhe ne ato mjete I destinuam që të realizojmë pagën për nëntorin 2023 dhe aty u paraqit një zbrazëtirë. Meqenëse ne siguruam mjete shtesë, por në trezor, në Ministrinë e Financave nuk mundet ato mjete ti alokojnë në atë konton e duhur për të realizuar regresin. Ne edhe pse kemi mjetet e duhura për këtë çështje por qëndron fakti se në rebalansin që parapamë në këshill komunal nuk mund të realizohen në trezor këto mjete”, theksoi Ridvan Ibrahimi, kryetar i Komunës Haraçinë.

Pagesa e regresit për mësimdhënësit dhe gjithë sektorin publik u vendos pas marrëveshjes së arritur mes Sindikatave dhe Qeverisë. Nga viti i ardhshëm pritet që vlera e K15-ës të jetë më e lartë./ Alsat.mk