Me strategji të re, propozohet rishikim i plotë i gjyqësorit

Sistemi gjyqësor është në nivelin më të ulët të mundshëm, vlerëson akademiku Vllado Kambovski. Ai është kryetar i grupit të punës që përgatiti Strategjinë e re të zhvillimit në gjyqësor 2024-2028 dhe pret që përmes saj të frenohet, siç thotë ai, faktori politik që ndikon në proceset gjyqësore, shkruan Alsat.

Marketing

Kambovski thotë se Strategjia kryesisht bazohet në raportet e Brukselit. Për vjetërsimin e lëndëve ka reaguar vazhdimisht Bashkimi Evropian dhe në këtë drejtim Kambovski shprehet se po punohet për Ligjin e ri për procedurë penale.

“Këto instrumente janë duke u përforcuar për disiplinimin e pjesëmarrësve në procedurë, veçanërisht Prokurorisë Publike për sa i përket afateve në të cilat duhet të veprojnë në hetimin dhe ngritjen e akuzës si dhe në pjesën e shtyrjes së seancave kryesore”, tha Vllado Kambovski – kryetar i grupit punues.

Pjesë e Strategjisë është miratimi i një Kodi të ri penal. Akademiku i vlerësoi si objekt i marrëveshjes politike ndryshimet e fundit në këtë kod, me të cilat u vjetërsuan numër i madh i lëndëve të PSP-së. Ai paralajmëroi ligj krejtësisht të ri, i cili do të rikthejë dënimet më rigoroze për shpërdorim detyre nga zyrtarët, por duke specifikuar dëmin dhe masën e dënimit.

“I është dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë dhe ajo i kthen në vendin e duhur këto raste që mbuloheshin nga ndryshime “ad-hoc” dhe po bën ndërhyrje të tjera në lidhje me përgjegjësinë e zyrtarëve”, u shpreh Vllado Kambovski – kryetar i grupit punues.

Strategjia zhvillimore është e harmonizuar edhe në Udhërrëfyesin për sundimin e ligjit që Shkupi e dërgoi dje në Bruksel dhe ku përmenden afate specifike se kur do të zbatohen të gjitha këto ndryshime të parapara. Shumica e tyre kërkojnë shumicë prej dy të tretave në Parlament. Kambovski thotë se askush nuk do të gjente argumente serioze kundër ndryshimeve të paralajmëruara, nëse procesi nuk bëhet pazar politik.

“Unë nuk e shoh atë diferencim se kush është për Evropën dhe kush nuk është për Evropën përmes një proklamate verbale. Ne jemi për Evropën, por nëse marrim këtë rrugë të vendosjes së parimit të shtetit ligjor, me pozicion qendror të gjyqësorit”, theksoi Vllado Kambovski – kryetar i grupit punues.

Pjesë e risive janë ndryshimi i mënyrë së përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit gjyqësor dhe rishikimi i përgjegjësisë së tyre. Në të njëjtën kohë është paralajmëruar ndryshim i materialit edukativ të Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publikë, pasi siç tha Kambovski, fakultetet juridike në vend nuk prodhojnë kuadro të gatshme./ Alsat.mk