“Vuçiç po sjell 200 ushtarë të Radoiçiç”, studentët vendosin tenda, bllokohen rrugët në Beograd

Intensifikohen protestat antiqeveritare në Serbi. Studentët kanë bllokuar një rrugë në Beograd, në shenjë zemërimi për rezultatin e zgjedhjeve, të cilat pretendohen se u mbajtën mes parregullsive dhe shkeljeve të rënda.

Marketing

Studentët ngritën tenda duke ndaluar qarkullimin e lirshëm në disa akse pranë ndërtesave qeveritare në kryeqytetin serb.

“Dëshirojmë t’i dërgojmë një mesazh qeverisë se është e nevojshme që të dëgjoni zërin e të rinjve,” u shpreh Ela Zekoviç, studente.

“Po dërgojmë një mesazh simbolik se ne nuk jemi këtu për të shkatërruar diçka, por për të tërhequr vëmendjen për atë që ndodhi ditën e zgjedhjeve,” thotë një tjetër student.

Studentët dhe liderët e opozitës akuzojnë administratën e presidentit Aleksandër Vuçiç për manipulimin e listave të votuesve, duke lejuar të vdekurit të votojnë, po ashtu dhe duke sjellë votues nga Kosova për në Beograd.

Opozita po organizon manifestimin më të madh ndonjëherë kundër drejtuesve aktual të vendit, ndërsa shprehin frikë se Vuçiç po përgatit një skenar për ta shndërruar protestën të dhunshme duke infiltruar tifozë huliganë dhe ushtarë të kriminelit Milan Radoiçiç që organizoi sulmin e armatosur në veri të Kosovës.

“Unë kam një mesazh për autoritetet: Jemi të vetëdijshëm që po mendoni dhe po përgatiteni – si p.sh siç bëtë në ditën e zgjedhjeve – për të sjellë huliganë të ndryshëm dhe tifozë futbolli. Mos e bëni këtë. Ne e dimë se po përgatitni 200 njerëz të Milan Radoiçiçit të veshur me të njëjtat rroba kamuflazhi. Mos e bëni këtë,” deklaroi Dragan Djilas, kryetar i Partisë për Liri dhe Drejtësi.

Koalicioni Serbia kundër Dhunës ka organizuar protesta të përditshme për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve. Të dielën e kaluar, manifestimi u shndërruar I dhunshëm dhe 38 persona u ndaluan nga policia.