Kasami: Dyshojmë se Qeveria teknike do të organizojë zgjedhje korekte dhe demokratike

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në deklaratë për mediat pas brifingut të sotëm të fundit vjetor me gazetarët në Tetovë shprehu dyshim se qeveria teknike do t’i përmbushë qëllimet për organizimin e zgjedhjeve korekte dhe demokratike. Sipas tij arsyeja është në zgjedhjen e BDI-së që atë Qeveri ta kryesojë propozimin e tyre për kryeministrin Talat Xhaferi. Gjithashtu edhe për atë që, siç tha, edhe partitë në pushtet i propozuan gati të gjithë ministrat e deritanishëm.

Marketing

“Qeveria teknike duhet të punojë në fushën e krijimit të besimit tek qytetarët se zgjedhjet do të jenë të drejta, demokratike dhe të pranueshme për të gjithë qytetarët. Duke pasur parasysh gjithashtu se BDI-ja e propozoi zotëri Xhaferin për kryeministër në qeverinë teknike, ne dyshojmë se ajo qeveri tenike do t’i përmbushë këto qëllime. Sepse zotëri Xhaferi edhe në pozitën e tij aktuale nuk u lavdërua me qëndrimin e tij ndaj institucionit që drejtonte, duke pasur parasysh se ishte propozuar politikisht, duke pasur parasysh se është një nga të a.q. ushtarë të BDI-së dhe në pjesën e partizimit të institucioneve dyshojmë se më shumë punon për të shpëtuar bashkëpartiakët dhe për të shpëtuar partinë e tij sesa për të organizuar zgjedhje korekte demokratike”, theksoi Kasami.

Lideri i Lëvizjes Besa tha se si opozitë shqiptare me ose pa anëtar në komisionin shtetëror zgjedhor nuk do të lejojnë të keqpërdoret zëri i votuesve të tyre.

“Nuk bëhet fjalë për parti të vogla politike, por për parti politike që aktualisht kanë gjashtë deputetë në Kuvend dhe janë në krye të tri komunave, Tetovës, Zhelinës dhe Çairit, dhe duke marrë parasysh këtë potencial, kapacitetin e kësaj opozite të bashkuar, garantojmë qytetarët që do të luftojmë deri në fund që në Maqedoni në vitin 2024 të kemi zgjedhje korekte dhe demokratike. Zgjedhjet që do të jenë hapi im i parë drejt vazhdimit të procesit të integrimit evropian. Nëse qeveria tenton të organizojë zgjedhje që do t’i shpëtojnë, por që do ta shtyjnë vendin edhe më tej në humnerë, ne nuk do ta lejojmë”, vlerëson Bilall Kasami.

Në pyetjen e gazetarëve se si saktë mendojnë partia Vetëvendosje të jetë pjesë e listave zgjedhore, Kasami theksoi se mundësi të tillë ka vetëm për një shtetas të Maqedonisë.

“Një me të cilin po flasim është zotëri Qoku, i cili ka qenë deputet në Kuvendin e Maqedonisë, i cili është edhe deputet i Vetëvendosjes në Kosovë. Pra, në asnjë rast, edhe sikur të duam, nuk mund ta shkelim ligjin që Vetëvendosja të marrë pjesë pa u regjistruar si parti politike këtu. Por duke marrë parasysh rezultatet e Vetëvendosjes në Kosovë, vlerësojmë se ajo vendosmëri për të luftuar korrupsionin dhe keqpërdorimin e pozitave publike shtetërore duhet të bartet edhe këtu. Përafërsisht ka qenë e njëjta situatë, në emër të patriotizmit në emër të luftës në Kosovë të viteve 99 dhe 2001 këtu, pastaj të njëjtit kanë bërë krim dhe korrupsion, janë pasuruar në kurriz të qytetarëve. Prandaj vlerësojmë që kjo frymë e luftimit të korrupsionit duhet të vazhdojë”, theksoi Kasami.