Qeveria teknike, gjithçka do të dihet deri më 25 janar

Takimi mes kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe liderit të VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristian Mickoski, për të dakorduar të gjitha detajet rreth zgjedhjeve do të mbahet vitin e ardhshëm. Kryeministri Kovaçevski potencon se qytetarët do të jenë në kohë të informuar për bisedimet e partive politike rreth Qeverisë teknike dhe të gjitha detajet do të dihen deri më 25 janar.

Marketing

“Takimi do të jetë patjetër vitin e ardhshëm, do të shohim, pas ose para pushimeve. Ajo që të gjithë e pamë nga mediat është se pas 31 dhjetorit, VMRO-DPMNE-ja do të mbajë një takim se cilët do të jenë përfaqësuesit e tyre në Qeverinë teknike. Sa i përket Qeverisë, bisedimet do të zhvillohen në nivel koalicioni, në nivel të pjesëmarrësve në Qeveri dhe të gjitha detajet do të dihen në kohën e duhur, pra deri më 25 janar.”, – deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Kryetari i opozitës maqedonase, Mickoski, ka shprehur gatishmëri për takim me Kovaçevskin, por është në pritje të ftesës zyrtare. Po ashtu, opozita maqedonase ka bërë të qartë se do të marrë pjesë në Qeverinë teknike, por nuk do të votojnë për të njëjtën. Procedura formal-juridike për përgatitje për zgjedhjen e Qeverisë teknike do të fillojë nga mesi i muajit janar.

Dorëheqje nuk do të japë vetëm kryetari i Qeverisë, Kovaçevski, por me të e gjithë Qeveria, gjithashtu do të dorëhiqet edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili është propozuar për kryeministër.

Para se të bëhet zyrtarisht mandatar, Xhaferit në seancë të veçantë duhet t’i konstatohet dorëheqja, e pastaj pritet të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, Jovan Mitreski, nga LSDM-ja. Më 28 janar është parashikuar zgjedhja e Qeverisë teknike.