Nga Lidhja Europiane për Ndryshim kanë akuzuar Qeverinë se me paftyrësi dhe pa pikë turpi mashtrojnë qytetarët me lëmosha nga 2 mijë denarë, përcjellë Klan M.
”Zhvatja e popullit në çdo formë të mundshme është sëmundje kronike e këtij pushteti. Me paftyrësi dhe pa asnjë pikë turpi, mashtrojnë qytetarët dhe i zhvasin.
Tash që po afrohen zgjedhjet, pushteti filloi të bëjë fushatë parazgjedhore, duke manipuluar popullin me gjoja masa antikrizë, me të cilat, vetëm për pesë muaj, nxënësve do u shpërndajë nga 1.200 denarë (20€), pensionistëve nga 3.000 denarë (50€), por ama paturpësia shpejt u doli në shesh, sepse nga muaji janar, ky pushtet aktual i LSDM-së, BDI-së dhe ASH-së i rrisin pagat për mbi dy mijë funksionarë të tyre me nga 24.000 denarë (400 €). Kjo rritje e rrogës ndodh për shkak të rritjes së pagës mesatare. Megjithatë, ndodh vetëm disa muaj pasi pushteti rriti pagat e funksionarëve me 78%. Dhe me rritjen e fundit, tani shumica e funksionarëve të pushtetit do të kenë paga nga 2500€ deri në 3000 €.
Por ama lavdërohen se e kanë rritur pagën minimale në 22.500 denarë ose rreth 370 €. A ka turp më të madh, a ka zhvatje më të madhe, a ka dyftyrësi më të madhe se kjo qeveri dhe funksionarët e saj. Imagjinoni pas disa muajve do të dalin të kërkojnë votën e qytetarëve dhe me paturpësi do të thonë; na votoni ne që kemi rroga prej 3000€, sepse ne i bëmë rrogat tuaja nga 370€!
Lidhja Europiane për Ndryshim fton institucionet relevante që ta shqyrtojnë sa më shpejtë këtë çështje dhe të gjejnë zgjidhjen ligjore që pagat e funksionarëve të jenë në përputhshmëri me standardin e qytetarëve e jo me dëshirën e pushtetit. Në qoftë se kjo Qeveri do të hesht, Lidhja Europiane për Ndryshim zotohet se sapo të fitojë besimin e popullit, që në ditët e para të udhëheqjes së saj me institucionet seriozisht do ta shqyrtojë çështjen e pagave mujore të funksionarëve shtetëror, me ç’rast do të krijojë kushte që dallimet të jenë në kornizat e mundësive reale, ndërsa do të punojë që të rriten pagat e qytetarëve” – thonë nga Lidhja Europiane për Ndryshim.