Alternativa: Mos i maltretoni mërgimtarët me pritje nga 6 orë për një pasaportë!

Këto ditë, kur mërgimtarët janë në vendlindje dhe duan ta përmbushin
detyrimin për ndryshimin e dokumenteve personale, ata vazhdojnë të
maltretohen me pritje të gjata disaorëshe për të aplikuar ose për ta
marrë dokumentin përkatës. Ky është maltretim i tyre dhe kjo është gjëja
më pak e merituar nga ata.
Mërgimtarët janë arterie e rëndësishme ekonomisë së Maqedonisë së
Veriut. Ata janë shpëtimtarë të qenies kombëtare të shqiptarëve në
Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Banka
Popullore, hyrjet neto nga remitancat e mërgimtarëve në periudhën
janar-shtator 2023 arrijnë mbi 1,5 miliardë euro dhe janë më të larta
për rreth 6.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më
parë. Këtu nuk hyn periudha e tremujorit të fundit të vitit. Kjo i bie
se gjatë vitit të kaluar remitancat arritën afër dy miliardë euro (ose
rreth 15 për qind e GDP-së). Dhe, “të shpërblehen” këta njerëz në këtë
mënyrë, kjo nuk është vetëm nënçmim, por edhe mosmirënjohje ndaj kësaj
kategorie të qytetarëve tanë. Është ironike qasja e institucioneve të
shtetit ndaj tyre, pritjeve të mëdha në kufi, detyrimit për t`i ndërruar
dokumentet, si dhe një sërë të drejtash që atyre u takojnë.
Sa për informacion, Alternativa gjatë periudhës sa ishte në Qeveri,
përmes Ministrisë së Diasporës dhe ministrit të saj, Xhemail Cupi,
propozoi hapjen e Qendrave të Diasporës, pikërisht për ndryshimin e
qasjes së institucioneve të shtetit ndaj tyre. Kjo sigurisht do të
vazhdonte sikur mos të ishte ndërhyrja për largimin tonë nga qeveria, me
çka u shua edhe Ministria e Diasporës.
Sidoqoftë, ne i bëjmë thirrje Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së
Punëve të Brendshme, që të marrë masa dhe të krijojë kushte që ky
problem të zgjidhet dhe mërgimtarët tanë të mos e kalojnë pushimin duke
pritur nëpër sportelet e MPB-së, por të kalojnë sa më shumë kohë me
familjet e tyre.
Mërgimtarët tanë e meritojnë mirënjohje tonë.

Marketing