Besimi: Nuk do të ketë rritje shtesë të pagave të funksionarëve

Ministri i Financave, Fatmir Besimi siguron se nuk do të ketë rritje shtesë të pagave të funksionarëve shtetëror gjatë këtij viti. Ai tha se, në buxhetin e vitit 2024, nuk janë planifikuar para për rritje të pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar, në përputhje me harmonizimin ligjor.

Marketing

“Nuk ka para në buxhet për rritjen e pagave të funksionarëve në vitin 2024. Kjo do të thotë se, ajo është reflektim i politikës që paralajmëroi Qeveria se do të ketë ndërhyrje në ligjin që ajo të mos ndodhë në vitin 2024. Nuk ka para për rritje shtesë sipas ligjit ku çdo vit u takon rritje sipas harmonizimit të pagës mesatare. Nuk ka para në buxhet të planifikuara për rritje shtesë të pagave të funksionarëve dhe personave të emëruar” – tha Fatmir Besimi.

Në lidhje me punësimet e paralajmëruara në administratë, Besimi tha se institucionet nuk guxojnë të punësojnë, përpos në rast kur plotësohet një vend i zbrazët pune, për shkak të pensionimit apo ndonjë lloj tjetër të largimit të kuadrit.

“Vazhdimisht ka largim të të punësuarve, numri i punonjësve në administratë ulet nga viti në vit. Të dhënat tregojnë se nga 87,028 të punësuar në vitin 2021, numri i të punësuarve në vitin 2023 është 84,200. Kjo do të thotë se kemi trend të uljes së numrit të të punësuarve” – deklaroi Fatmir Besimi.

Ai shtoi se, në buxhetin e vitit 2024, janë projektuar mjete për paga për 10% më shumë në raport me vitin 2023, për pagesën e pagave për të punësuarit aktual në sektorin publik. Sipas tij, qëllimi është që të sigurohet rritje e vazhdueshme e pagave, që të administratë e cila do të ofrojë shërbime cilësore për qytetarët dhe kompanitë.