​Tromp: Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të zgjasë edhe 3-4 vjet

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Hagë do të zgjasë së paku tri deri në katër vjet, thotë Nevenka Tromp, hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

Marketing

Për shtatë vjet e gjysmë, ajo thekson për KosovaPress se janë paditur vetëm gjashtë persona dhe se vetëm një rast është finalizuar.

“Në shtatë vjet e gjysmë, nga gjashtë të paditur që u gjykuan në tri gjykime të ndryshme, vetëm një është finalizuar plotësisht. Gjykimi i dytë, që përfshin individin Pjetër Shala, me siguri do të finalizohet vitin e ardhshëm. Pra, në tetë vjetët e punës së Tribunalit, të Dhomave të Specializuara të Kosovës do të kemi dy aktgjykime. Sa i përket katër individëve, në të ashtuquajturin gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, këta katër individë po gjykohen. Hapja e këtyre gjykimeve ishte në prill të vitit 2023 dhe nëse mund të gjykoni se sa i shpejtë ka qenë rasti i Salih Mustafës, dhe sa i shpejtë ishte (rasti i) Pjetër Shalës, atëherë mund të presim që gjykimi i Hashim Thaçit dhe të tjerëve të zgjasë së paku edhe tri deri në katër vjet”, deklaron Tromp.

Nevenka Tromp, e cila shkroi librin “Gjykimi i papërfunduar i Millosheviqit”, shton se Dhomat e Specializuara nuk po punojnë me aktakuza të reja.

Ajo njëherit konsideron se dënimi për Salih Mustafën është praktikë e rëndë që gjykata e ka prezantuar.

“Nëse do të pyesni, si mund ta krahasojmë këtë gjykim të parë të formës së prerë, gjykimin e apelit në rastin e Salih Mustafës me juridiksionet kombëtare dhe me TPNJ (Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë), atëherë ne shohim diçka mjaft të pashpjegueshme, dhe kjo është praktikë jashtëzakonisht e rëndë e dënimit që kjo gjykatë ka prezantuar, dhe kjo praktikë e rëndë e dënimit dhe gjykimit do t’i bëjë absolutisht shumë njerëz të befasohen dhe të kthehen kah gjykata e të thonë “Oh, a është kjo drejtësi apo përndjekje penale? A po e përdorni këtë gjykatë dhe këtë institucion për të bërë gjykime shumë të rënda vetëm për të treguar njëfarë qëllimi selektiv dhe simbolik”, i cili është “Oh, po edhe forcat e armatosura shqiptare të Kosovës kanë kryer krime lufte” dhe ky mund të jetë realiteti që do të përdoret si argument kur vihet në dyshim se sa objektive dhe e paanshme është kjo gjykatë”, shprehet Tromp, transmeton Klankosova.tv.

Krahas kësaj, Tromp thotë se në rasti i Mustafës konsiderohet si “drejtësi e ashpër” dhe se dënimi maksimal për krime lufte është 15 vjet.