Rritet ndjeshëm numri i qytetarëve të prekur nga gripi stinor dhe virozat

Sezoni i infeksioneve, posaçërisht atyre respiratore ka shtuar numrin e pacientëve në institucionet shëndetësore, qoftë për kontrolle ose hospitalizim. Gjatë paradites së sotme, në Klinikën e fëmijëve “Kozle” janë pranuar mbi 40 fëmijë për tu kontrolluar, tre prej të cilëve u shtruan në këtë klinikë për mjekim të mëtutjeshëm.

Marketing

“Në çka është ankuar? Kollitje, temperaturë, virus, gjithandej njësoj. Tash rezultatet jemi duke i prit. Sa ditë është kështu? Pesë ditë, lodhësi, temperaturë kollitje, të gjitha. Çfarë moshe është? 6 vjeçe. Djali i vogël mirë është? E vuajnë të njëjtën njësoj”, u shpreh një prind.

Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Tetovë. Madje, siç thanë mjekët nga Ndihma e Shpejtë, në dy javët e fundit është rritur për 200% numri i personave të prekur nga gripi sezonal. Gjithashtu, mjekët apelojnë qytetarët për kujdes nëse simptomat zgjasin më shumë se dy ditë dhe pacientët të mos trajtohen kokë më vete.

“Unë mezi shpëtova vitin e shkuar, qëndrova nëpër spitale. Para ca ditësh njëjtë isha shumë keq, dy ditë dy netë as hëngra as piva asgjë, mezi ia dola. Po edhe nuk ruhemi nuk mbajmë maska as neve as mjekët”, tha një banor.

“Ne se dimë a grip a çka është po duhet të kujdesemi shumë, vizita të bëjmë që të mos ftohemi shumë”, u shpreh një tjetër banor.

“Afërsisht brenda një ndërrimi kemi deri në 150 kontrolle ambulantore nga pacientët që vijnë për kontroll tek ne kryesisht me simptoma të gripit sezonal. Mesatarisht nëse bazohemi në shifra lirisht mund të themi se është rritur dyqind për qind numri i pacientëve. Apelojmë te gjithë qytetarët që sa më shumë të bëjnë kujdes për shëndetin, ta ruajnë imunitetin duke konsumuar më shumë lëngje dhe çaje, dhe me simptomat e para të reagojnë në kohë jo të presin rëndim të situatës”, deklaroi Besnik Mustafai. mjek në ndihmën e shpejtë.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti tha se nuk ka vend për panikë por kujtoi qytetarët të vaksinohen.

“Ardhmëria e vendit janë fëmijët tanë. Çdo fëmijë i vaksinuar është shpëtim jetë ose nesër ai fëmijë mos të preket nga ndonjë sëmundje. Apeloj të qytetarët, për të mirën e fëmijëve të tyre, për të mirën e gjithë qytetarëve t’i prevenojmë disa gjëra sepse kemi numër të mjaftueshëm të vaksinave, madje më shumë se sa duhen”, deklaroi Fatmir Mexhiti, ministër I Shëndetësisë.

Sipas mjekëve, rritjes së numrit të të prekurve nga virozat, përveç mungesës së borës, i ka ndihmuar edhe ndotja e ajrit që ditëve të fundit ishte shumë herë mbi nivelin e lejuar. /Alsat.mk