RMV, paraburgim shtëpiak edhe për një person i përfshirë në sulmin e M-NAV

Prokuroria Publike informoi se sot i është caktuar masë paraburgim shtëpiak edhe një personi i përfshirë në sulmin në M-NAV, i cili dje është privuar nga liria, njofton Portalb.mk.

Marketing

“Për personin e dyshuar për veprën penale – Rrezikim të sigurisë së komunikacionit ajror i cili disa ditë ishte i pakapshëm për organet e përndjekjes, ndërsa dje u privua nga liria në vendkalim, Gjykata Themelore Penale Shkup i caktoi masë paraburgim shtëpiak”, theksojnë nga Prokuroria Publike.

Nga Prokuroria thonë se ndaj këtij vendimi do të parashtrojnë ankesë.

Prokuroria Themelore Publike dje informoi se është gjetur dhe privuar nga liria edhe një nga personat të përfshirë me urdhër hetimor për sulmin në M-NAV. Gjithashtu, nga Prokuroria kumtuan se përkundër faktit se Gjykata Themelore Penale Shkup dje ka njoftuar se në rastin e ngjarjeve në M-NAV Këshilli Penal ka caktuar masa arrest shtëpiak për katër të dyshuar dhe “kundër këtyre vendimeve palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit Shkup në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimeve”, mirëpo Ligji për procedurë penale nuk i lejon prokurorisë ankesë ndaj vendimeve të marra.

Ndërkohë, Gjykata Themelore Penale e RMV-së caktoi masë paraburgimi shtëpiak për Bekim Nezirin dhe tre personat e përfshirë në rastin e sulmit në ofruesin kombëtar të shërbimeve të aviacionit, SH.A ‘’M-NAV’’.

Kujtojmë se tre inspektorë nga Inspektorati shtetëror i punës (ISHP) hynë në M-NAV dhe filluan me mbikëqyrjen inspektuese.

Pakënaqësitë në M-NAV kanë nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiakedhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës. Qeveria me kërkesë të Sindikatës i shkarkoi drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV pritet të zyrtarizojë shkarkimin e drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre të emërojë Hekuran Asanin dhe Milan Koraq. Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.