Masakra e Reçakut, më 15 janar 1999 është ndër masakrat më të rënda në Kosovë. Masakra e dokumentar në atë kohë ndryshoi përgjithmonë historinë e re të Kosovës.
Për këtë masakër, Prokuroria Speciale për Kallxo.com ka konfirmuar se janë duke zhvilluar hetime ndaj 16 personave në mungesë, për shkak se të gjithë për momentin janë të paarritshëm për organet hetimore.
Ndërsa, një person është dënuar në lidhje me këtë masakër. Ai ishte dënuar në vitin 2001. Zoran Stanojeviqit i ishte shqiptuar dënim me 15 vite burgim. Por pas shpalljes së aktgjykimit, Zoran Stanojeviq ishte arratisur nga territori i Republikës së Kosovës dhe vazhdon ende të jetë në arrati.
Prokuroria Speciale në maj të vitit te kaluar, nga Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës kishte kërkuar gjykimin në mungesë të një personi, të cilit i ishte ngritur aktakuzë, pasi ishin shtjerrë të gjitha përpjekjet për ta gjetur të akuzuarin.
Prokuroria Speciale më 4 maj kishte njoftuar se kishte ngritur aktakuzë në mungesë kundër të pandehurit Çedomir Aksiq për krime lufte kundër popullatës civile.Ai akuzohet se bashkë me persona tjerë, grup kriminal të paidentifikuar, kishin qenë të organizuar dhe të veshur uniforma policore paramilitare dhe ushtarake./Kallxo