Pasaporta maqedonase pa Veri “vdes” më 12 shkurt!

Kreu i diplomacisë së Shkupit, Bujar Osmani, kumtoi se vlefshmëria e pasaportave të qytetarëve me emrin e vjetër të vendit (“Republika e Maqedonisë”) nuk mund të zgjatet përtej datës 12 shkurt 2024, pasi kjo do të binte ndesh me Marrëveshjen e Prespës.

Marketing

“Është e qartë se kjo (Marrëveshja e Prespës) është një marrëveshje ndërkombëtare që është ratifikuar nga parlamentet e të dy vendeve dhe është e qartë se kjo nuk mund të jetë çështje e vendimit të një qeverie, por (vendimit) të të dyjave shteteve dhe në këtë periudhë nuk ka kushte të përshtatshme për një gjë të tillë”, tha Osmani, i pyetur për t’iu përgjigjur pyetjeve gazetareske nëse vlefshmëria e dokumenteve të udhëtimit të qytetarëve në të cilat shkruhet emri i mëparshëm i shtetit mund të vazhdohet pas datës 12 shkurt.

Vihet re se më 12 shkurt 2024 bëhen pesë vjet që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Prespës dhe në bazë të Marrëveshjes, brenda kësaj periudhe qytetarët e vendit duhet të ndërrojnë dokumentet e udhëtimit (pasaportat) nëse dëshirojnë të udhëtojnë jashtë, në mënyrë që mbi to të shkruhet emri i ri i shtetit: Republika e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, autoritetet kompetente të vendit, për shkak të mungesës së infrastrukturës logjistike dhe vonesave në dhënien e dokumenteve të reja, nuk po arrijnë t’i përgjigjen kërkesave masive të qytetarëve për zëvendësimin e dokumenteve. Madje, shumë qytetarë të vendit presin me ditë në radhët e krijuara gjatë gjithë muajve të fundit para stacioneve policore në Shkup për të ndërruar dokumentet e tyre personale, pa u dorëzuar.

“Pas datës 13 shkurt, pala greke do të duhet të informojë BE-në se periudha e vlefshmërisë pushon së zbatuari (për pasaportat në të cilat shkruhet emri i mëparshëm i vendit). Pas kësaj, të gjitha vendet që do të marrin këtë informacion nga Greqia do të fillojnë ta zbatojnë atë. Prandaj them “në këtë periudhë, në vend të iniciativave për zgjatje, le të kemi iniciativa për zëvendësimin e dokumenteve” shtoi Boujar Osmani, pas takimit në Shkup me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Igli Hassani.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski javën e kaluar i propozoi qeverisë së vendit që të vazhdojë me ndryshimin e ligjeve ekzistuese me qëllim që në vend të shkurtit të zgjatet deri në shtator afati për ndërrimin e dokumenteve personale të qytetarëve të vendit, ndërsa partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të procedojë me një interpretim në mënyrë që pasaportat dhe patentë shoferët që mbajnë emrin e mëparshëm të vendit të vazhdojnë të jenë të vlefshme edhe pas 12 shkurtit.

“Në vend që të japim shpresa të rreme tek qytetarët se do të ndryshojmë dispozitat e Marrëveshjes së Prespës, se do të ndryshojmë Ligjin për Zbatimin e Amendamenteve Kushtetuese, le të bëjmë përpjekje që pas 13 shkurtit të mos ketë pengesa për qytetarët. As kjo kërkesë në Gjykatën Kushtetuese nuk do të mund të ndryshojë Marrëveshjen e Prespës dhe as ndonjë ndryshim ligjor”, ka theksuar Bujar Osmani.

Marrëveshja e Prespës ka hyrë në fuqi më 12 shkurt 2019. Bazuar në dispozitat e marrëveshjes, të gjitha dokumentet dhe materialet zyrtare të administratës publike të Maqedonisë së Veriut për përdorim ndërkombëtar dhe ato për përdorim të brendshëm që mund të përdoren jashtë vendit, do të zëvendësohet jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, për të treguar emrin e ri të shtetit (Republika e Maqedonisë së Veriut).

Maqedonia e Veriut filloi lëshimin e dokumenteve të reja personale për qytetarët e vendit (ID, pasaporta, patentë shoferi) vetëm nga korriku i vitit 2021. Për shkak të mungesës së infrastrukturës logjistike, një numër i madh i qytetarëve të vendit deri më tani nuk kanë mundur të zëvendësojnë dokumentet. /tesheshi.com/

Marketing