Hekuran Asani dhe Milan Koraq drejtor të rinj të M-NAV

Hekuran Asani dhe Milan Koraq do të marrin postin e drejtorëve në M-NAV javën e ardhshme, mëson “Telma”. Bordi mbikëqyrës në seancën e sotme ka pranuar propozimin e Qeverisë të miratuar në seancën e mbajtur më 9 janar dhe ka shkarkuar drejtorët aktualë Fahrudin Hamidi dhe Ljube Stamenkovski. Drejtori i tretë në kompaninë shtetërore, Hasim Deari, e mbajti postin, transmeton Portalb.mk.

Marketing

Për shkak të procedurës ligjore, këshilli mbikëqyrës do të mbajë mbledhje të radhës ditën e hënë ku do të nënshkruhet procesverbali i seancës së sotme, i cili do t’i japë vendimit fuqi juridike formale dhe më pas me dokumentacionin shoqërues do të dorëzohet në regjistrin qendror, në të cilin duhet të të regjistrohen dy drejtorët e rinj – Asani dhe Koraq.

Shkarkimi i Hamidit dhe Stamenkovskit ishte një nga kushtet e Sindikatës për të mos dalë në grevë.

Ndryshe, propozimi fillestar i Qeverisë ka qenë Ilir Mehmeti, por pas disa orësh Qeveria është dashur ta tërheqë dhe të bëjë korrigjime sepse nuk i plotësonte kushtet. Mehmeti nuk është punëtor i M-NAV-it, por i Agjencisë së Aviacionit Civil, i cili ka shkelur drejtpërdrejt nenin 17 të Rregullores në M-NAV, i cili parasheh që në pozita drejtuese të emërohen persona nga radhët e të punësuarve.

Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës mund të konsiderohet si hapi i parë për zgjidhjen e marrëdhënieve të trazuara mes sindikatës dhe menaxhmentit të M-NAV, por edhe në ndriçimin e incidentit dhe ndërhyrjes së dhunshme në godinën e Kontrollit të Trafikut Ajror dhe sulmi ndaj kontrollorit të cilin e udhëhoqi këshilltari tashmë ish-drejtor, zyrtari i BDI-së, Bekim Neziri. Pas regjistrimit të kryesisë së re, do të mund të mblidhet Komisioni i Sigurisë së M-NAV, i cili duhet të bëjë hetim zyrtar për incidentin e shkaktuar nga Neziri dhe personat që ai drejtonte. Komisioni ka përgatitur një raport paraprak jozyrtar i cili tashmë i është dorëzuar agjencisë së aviacionit civil.

Kujtojmë se, Gjykata Themelore Penale e RMV-së caktoi masë paraburgimi shtëpiak për Bekim Nezirin dhe katër personat e përfshirë në rastin e sulmit në ofruesin kombëtar të shërbimeve të aviacionit, SH.A ‘’M-NAV’’.

Tre inspektorë nga Inspektorati shtetëror i punës (ISHP) hynë në M-NAV dhe filluan me mbikëqyrjen inspektuese.

Pakënaqësitë në M-NAV kanë nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës. Qeveria me kërkesë të Sindikatës i shkarkoi drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV pritet të zyrtarizojë shkarkimin e drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre të emërojë Hekuran Asanin dhe Milan Koraq. Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.