Votimi i Qeverisë Teknike, Kovaçevski: VMRO pa ministra, nëse nuk japin mbështetje

Kontradiktat për votimin e Qeverisë Teknike “mollë sherri” midis partive, pasi VMRO-DPMNE, ka paralajmëruar abstenim gjatë votimit të Qeverisë teknike meqë kundërshtojnë faktin që Talat Xhaferi të vihet në krye të ekzekutivit.

Marketing

Në rast se VMRO-ja nuk voton Qeverinë teknike, kryeministri Dimitar Kovaçevski ka kushtëzuar partinë e Mickoskit se nuk do t’ia japin vendet ministrore që i takojnë në këtë qeveri 100-ditëshe. Sipas kryeministrit, nuk është logjike, por dhe jashtë çdo praktike botërore që një parti t’i bashkëngjitet Qeverisë, por mos ta përkrahë të njëjtën.

“Kur një parti participon në Qeveri, atëherë duhet që ta mbështesë këtë Qeveri. Nëse nuk e votojnë Qeverinë Teknike, atëherë konsideroj se këto vende duhet të mbesin të zbrazëta. Mandatari i ri të propozojë qeveri, ku vendet ministrore që i takojnë VMRO-së të mbeten të zbrazëta. Në momentin kur VMRO-DPMNE do të mbështesë Qeverinë, mandatari mund të propozojë që të votohen ministrat e tyre.”, – deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.