Ndërroi jetë njëri nga të plagosurit nga të shtënat me armë në Spitalin e Tetovës

Në Klinikën Universitare për Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv (KARIL) në Shkup, ka ndërruar jetë njëri nga vëllezërit nga fshati Gajre në Tetovë, të cilët më 11 janar u plagosën nga të shtënat me armë zjarri në Spitalin e Tetovë.

Marketing

Në lidhje me: Katër të arrestuar, mes tyre edhe një grua 55 vjeçe! Njëri i plagosur në gjendje të rëndë pas gjuajtjeve në Spitalin e Tetovës

Nga KARIL konfirmuan se personi 41-vjeçari A.M. ka ndërruar jetë. Në të shtënat me armë zjarri nëntë ditë më parë është lënduar edhe vëllai i tij Z.M (36), i cili po ashtu është duke u mjekuar në KARIL.

Përdorimi i armës së zjarrit dhe plagosja e dy vëllezërve nga Gajre ka ndodhur më 11 janar rreth orës 18:00 përballë Qendrës Emergjente të Spitalit Klinik. Dy vëllezërit janë dërguar në KARIL gjatë mbrëmjes së njëjtë.

SPB Tetovë kumtoi se mbrëmjen e 11 janarit, rreth orës 23:00, janë privuar nga liria katër persona, ndërsa një person ende është në kërkim. Nga SPB Tetovë dhe Prokuroria nuk ka asnjë informacion tjetër zyrtar për rastin, të cilin e udhëheq Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Prokuroria ende është duke vepruar sipas kompetencave të saj”, njoftuan nga atje.

SPB Tetovë ka privuar nga liria R.T.(35) dhe M.T (44), Sh.E. (55) dhe N.M.(39), të gjithë nga Tetova, për shkak të dyshimit për përfshirje në të shtënat.