Gripi e virozat mbushin ambulancat!

Covid, grip dhe virus, ambulancat vazhdojnë të jenë plot me pacientë që ankohen për temperaturë të lartë, kollë dhe simptoma tjera. Mjekët thonë se gjatë kësaj periudhe të treja janë të ndërthurura dhe përveç kësaj shfaqet edhe kolla e keqe.

Marketing

Piku i infeksionit pritet javën e ardhshme dhe numri i të infektuarve me grip këtë periudhë të vitit në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritur me rreth 20%. Sipas mjekes Valentina Mitrova, mungesa e vaksinimit tek qytetarët ka ndikim të madh në këtë situatë, konkretisht me shfaqjen e kollës së keqe.

“Gjatë kësaj periudhe të treja janë të ndërthurura, ka ende Covid, i cili tashmë është si një sëmundje kronike e frymëmarrjes, grip dhe virus. Klinikat tona si në të gjithë vendin, janë plot me pacientë me simptoma të kollës, dhimbjeve, temperaturës së lartë që mund të zgjasë disa ditë. Fatkeqësisht, ekziston edhe një sëmundje e zhdukur që tashmë ka filluar të shfaqet në raport me kollën e keqe që shfaqet për shkak të mos vaksinimit”, thotë Mitrova.

Kur është fjala për vaksinën kundër gripit sezonal, Mitrova thotë se ndërgjegjësimi i pacientëve po rritet në fushën e kujdesit për shëndetin e tyre. Megjithatë, apeli qëndron ende që të gjithë mbi 65 vjeç të vaksinohen. Njëkohësisht ajo shton se edhe fëmijët duhet të vaksinohen kundër kollës së keqe.

“Vit pas viti është rritur ndërgjegjësimi, njerëzit kujdesen për shëndetin e tyre, por gjithsesi do të bëj një apel për ata mbi 65 vjeç që kanë sëmundje kronike që të marrin rregullisht vaksinën e gripit sezonal. Nuk është se nuk do të sëmuren, por do të kalojnë me simptoma më të lehta”, shton Mitrova.

Këtë sezon, 3500 qytetarë janë infektuar nga gripi në vend dhe kanë ndodhur gjashtë vdekje. Më të rrezikuarit janë personat me sëmundje kronike dhe për këtë Komisioni për Sëmundjet Infektive në seancën e kaluar ka rekomanduar për vendosjen e detyrueshme të maskave në spitale dhe shtëpi të të moshuarve.