Pas pushimit trejavor dimëror, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nesër do të kthehen në shkollë për të vazhduar mësimin e gjysmëvjetorit të dytë të vitit 2023/2024. Ata do të kenë një tjetër pushim pranveror, nga data 29 prill deri më 6 maj 2024, që është një risi këtë vit shkollor.
E re është gjithashtu që nxënësit në shkollat fillore do të mësojnë deri më 17 qershor, për të përmbushur numrin e caktuar të ditëve të punës (180) sipas kalendarit për organizimin e mësimit. Për nxënësit e shkollave të mesme viti shkollor do të përfundojë më 10 qershor në vend të 17 qershorit. MASH ka ndryshuar vendimin fillestar me kërkesë të Lidhjes së Shkollave të Mesme për shkak të përgatitjeve për regjistrim në arsimin e lartë.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri ka sqaruar se Ligji për Arsimin e Mesëm lejon që të veprohet dhe t’u ndihmohet të prekurve sepse nuk ka detyrim specifik ligjor për numrin e saktë të ditëve të punës.
Krahas pushimit pranveror për të gjithë nxënësit dhe vitit të zgjatur shkollor për nxënësit e shkollave fillore, risi në gjysmëvjetorin e dytë do të jetë aplikimi gradual i një ditari të ri elektronik (E-ditar). Si pilot projekt do të futet në 40 shkolla fillore dhe të mesme në disa komuna të vendit për të hequr dobësitë e mundshme para se të përdoret në të gjitha shkollat. Është përgatitur me mbështetjen e BE-së përmes fondeve IPA.