Edhe dua edhe s’dua!

Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari

Marketing

VMRO-DPMNE nuk dëshiron të legjitimojë dhe të legalizojë presedanin e parë demokratik dhe multietnik në sistemin kushtetues dhe politik të Maqedonisë së Veriut, pra nuk ka vullnet politik dhe demokratik që kryeministri i qeverisë së re për herë të parë të zgjidhet nga radha e partisë së tretë politike në Kuvend (e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoi 11.48% të votave në nivel vendi) dhe nga radha e shqiptarëve si populli i dytë për nga numri në vend.

Përgatitjet formale në Kuvend për qeverinë kalimtare duhet të nisin të hënën e ardhshme, ndërkaq kjo qeveri sipas afateve ligjore pritet të votohet më 28 janar dhe kryeministër i saj pritet të jetë kryeparlamentari aktual z. Xhaferi. Mirëpo, në prag të votimit të qeverisë kalimtare po zmadhohen grindjet partiake mes dy partive më të mëdha politike në vend. Kryeministri aktual dhe kryetar i LSDM-së, sugjeron që vendet që me ligj i takojnë opozitës në qeverinë kalimtare duhet të mbeten bosh derisa VMRO-DPMNE të votojë për atë qeveri, në përgjigje të njoftimeve nga VMRO-DPMNE për të mos votuar përbërjen e qeverisë kalimtare e as për të marrë pjesë në seancat e saj meqë kryetari i saj më herët deklaroi se z. Xhaferi nuk e meriton mbështetjen e VMRO-DPMNE-së për kryeministër dhe se do të abstenojë nga votimi, andaj, si kundërpërgjigje e kësaj, edhe deputetët e BDI-së nuk do të votojnë propozimet për ministra në qeverinë kalimtare që do të jenë nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
Mirëpo, çfarë fshihet pas nazeve të VMRO-DPMNE-së të tipit: dua të jem në qeveri por, sʼdua ta votoj atë! A thua vallë kjo parti politike ka probleme me z. Xhaferin (që në v. 2013 ishte ministër i mbrojtjes në qeverinë e kryesuar nga kryetari i VMRO-DPMNE-së) apo ka probleme me z. Xhaferin si kryeministër shqiptar që pritet të vjen nga partia e tretë politike në Kuvend!
VMRO-DPMNE nuk dëshiron të legjitimojë dhe të legalizojë presedanin e parë demokratik dhe multietnik në sistemin kushtetues dhe politik të Maqedonisë së Veriut, pra nuk ka vullnet politik dhe demokratik që kryeministri i qeverisë së re për herë të parë të zgjidhet nga radha e partisë së tretë politike në Kuvend (e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoi 11.48% të votave në nivel vendi) dhe nga radha e shqiptarëve si populli i dytë për nga numri në vend.
VMRO-DPMNE trembet sot për një gjë që realisht mund të ndodhë nesër pra, kryeministër shqiptar që do të vinte nga partia politike e tretë, e katërt apo e pestë në Kuvend.
A është e mundur një gjë e tillë në botën demokratike?
Si qëndron puna me praktikën parlamentare krahasimore përkitazi me kryeministrat e qeverive që vijnë nga partitë politike parlamentare të treta, të katërta apo të pesta?
Praktika parlamentare evropiane megjithatë dëshmon se, një gjë e tillë është e mundur, për shembull, Kryeministri aktual i Belgjikës De Crooo vjen nga Partia Liberale Flamane e cila ka vetëm 12 mandate nga 150 gjithsej (8% të votave në nivel vendi) dhe është partia e pestë në parlamentin belg; Kryeministri i Letonisë në vitet 2019-2023 Karinsh vinte nga partia e Unitetit të Ri e cila kishte vetëm 8 mandate nga 100 gjithsej (8% të votave në nivel vendi) dhe ishte partia e fundit në parlamentin letonez; dhe shembuj të tillë në të kaluarën ka pasur edhe në Itali (kryeministrat Spadolini, Craxi dhe Amato), Norvegji (kryeministri Bondevik), Finlandë (kryeministrat Karjalainen dhe Miettunen), etj.
Edhe pse VMRO-DPMNE e ka germën D (Demokratike) në emrin e saj, megjithatë nuk e ka frymën e duhur demokratike që do të rritej brenda saj mirëpo, një gjë është e sigurtë, demokracia nuk vrapon, por me siguri e arrin qëllimin.

(Autori është profesor ordinar në Fakultetin juridik të UEJL-it)