Lidhja Europiane për Ndryshim: Kryeministri teknik, mashtrimi i fundit i BDI-së

Burgje plot shqiptarë. Rinia në ikje. Mediat serbo-maqedonase të shfrenuara me vokabular anti-shqiptar. Nëpër rrugët, lagjet, fshatërat shqiptare qarkullojne automjete policore në akcione ndëshkimi dhe frikësimi të shqiptarëve. Në zemrën e Çarshisë së Shkupit instalohet amoraliteti. Nën diktat partie, media shqipfolëse garojnë në njollosje të të pandëgjueshmëve. Pabarazia etnike lulëzon kudo, nën petkun e “raporteve të mira ndëretnike”. Në ekrane televizive, paradon figura e përfaqësimit shqiptar të pazgjedhur, por të instaluar.

Marketing

Nëse mendoni se kjo është vetëm se një nga shumë përshkrimet e realitetit shqiptar sot në Maqedoninë e Veriut, do gaboni.

Në të vertetë, është përshkrimi i gjendjes së shqiptarëve në Republikën Socialiste të Maqedonisë në vitin 1986. Në vitin kur establishmenti maqedonas përzgjodhi Vullnet Starovën për Kryetar të Kuvendit të Republikës Socialiste të Maqedonisë. Emërim që kinse duhej të dëshmon barazinë e popujve, por në të vërtetë vetëm se dëshmonte abuzimin e përfaqësimit të tjetërsuar nga establishmenti maqedonas.

Emërimi i Vullnet Starovës ishte në të njejtën vijë dhe me të njejtin motiv sikur emërimi i Sinan Hasanit në vitin 1986 për President të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Në dy rastet, abuzohej formaliteti etnik për të mohuar, ndëshkuar, poshtëruar dhe përbuzë frymën dhe substancën kombëtare shqiptare në ish-federatën Jugosllave dhe ish-republikën socialiste të Maqedonisë.

Emërimi i Sinan Hasanit dhe Vullnet Starovës nuk ndaloj përndjekjen e egër të shqiptarëve, por përkundrazi i dha krah dhe fuqi frymës më shovene anti-shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni. Në kohën e Sinan Hasanit ndodhën sulmet më brutale të njësive policoro-ushtarake serbe në Kosovë para shpërbërjes së Jugosllavisë, në Maqedoni në kohën e Vullnet Starovës ndodhën torturat më mizore kundër rinisë në Kumanovë, ndodhi vrasja mizore e Nuredin Nuredinit në mbrojtje të shtëpisë së tij në Haraçinë, ndodhi përndjekja e egër e intelektualëve, arsimtarëve, studentëve shqiptar.

Tridhjetë vite më vonë, qëndrojmë sy më sy me të vërtetën se ata që harrojnë të kaluarën, rrezikojnë që e njejta t’ju përsëritet.

Sot, e kaluara e dhimbshme po na përsëritet – si reprizë për të moshuarit dhe risi për të rinjtë – në formën e lulëzimit të instalimit të figurinave, formave shqiptare për të kamufluar, heshtur dhe frikësuar substancën kombëtare. Dukuria e instalimit të pro-forma liderëve shqiptarë për një përdorim tani kaplon edhe Maqedoninë e Veriut, në formën e instalimit të Talat Xhaferit si Kryeministër i BDI-së por për ta reklamuar si Kryeministër i parë shqiptar.

Ne ditën e emërimit të tij, në ceremoninë banale te vetlavdërimit me pupula mbi turpin, në Maqedoninë e Veriut ende kemi femijë që nuk guxojne dhe nuk ju lejohet të mësojnë ne gjuhën amtare. Në Maqedoninë e këtillë të Talat Xhaferit, sikur në atë të Vullnet Starovës dhe Sinan Hasanit, rinia shqiptare që dikur kërkonte arsimim në Prishtinë, sot kërkon punësim dhe vlerësim në Perëndim. Në Maqedoninë e sukseseve të Rilindasit të së Kaluarës Komuniste, z. Ali Ahmeti, burgjet ende vlojnë dhe ofshajne Shqip. Në këtë Maqedoni të portaleve të Artan Grubit dhe Fatmir Besimit, sërish sulmohen, njollosen, ofendohen të pafuqishmit që të shpëtohen dhuntaket dhe vagabondët. Ata qe dikur në zemrën e Çarshisë së Shkupit instalonin amoralitetin përmes Kinemasë Napredok, sot instalojnë amoralitetin e kazinove dhe bixhozit. Në këtë Maqedoni ku Ahmetistët gëzojnë barazinë me partnerët e VMRO dhe LSDM, lulëzon pabarazia për shqiptarët që këmbëngulin në nderin e bukës së gojës dhe djersës së punës.

Ashtu siç nuk kishte asgjë historike në instalimin e Vullnet Starovës dhe Sinan Hasanit në vitin 1986, ashtu nuk do ketë asgjë historike në ceremoninë e instalimit të figurinës teknike shqiptare të Talat Xhaferit. Në fakt, ashtu siç emërimi Starova-Hasani do të kujtohet si moment ahistorik që nuk kishte as kontekst përfaqësues dhe perspektivë historike, ashtu dhe instalimi i Talat Xhaferit do shënon jo triumfin e politikës së Ali Ahmetit, por fillimin e rrënimit të gënjeshtrës, mashtrimit, abuzimit, poshtërimit të kombit, profiterizmit nga lufta dhe tradhëtisë të idealeve për të cilat kanë dhënë jetën aq shum të ri, të njomë, të drejtë, të guximshëm dhe gatshëm të flijohen në vdekje për jetësim të idealit. Nuk ka zërim aq të zëshëm, duartrokitje aq shurdhuese, lëvdata aq përkëdhelëse që do mund të ndalojnë pyetjen që si hije turpi dhe poshtërimi do buçet në mendjen e udhëheqësit të penduar të UÇK-së: A ishte lufta për ardhmërinë e fëmijëve në Çashkë, Veles, Manastir, Prilep, Krushevë apo për farefisninë e familjeve të zyrtarëve të përjetshëm të BDI-së?

Prandaj, e vetmja simbolikë e emërimit të Talat Xhaferit, është ajo që sikur në vitet 1986, ashtu edhe në këtë vit 2024, emërimi i vjen si fund i karierës së tij, fund i një kaptine të palavdueshme historike dhe rilindjes së shqiptarëve kundër falco-rilindasve të mashtrimeve komuniste dhe intrigave anti-shqiptare. Fundi i tyre, kështu tingëllon:

Abaz Gjuka, ç’ka fitove.

Faqe të zezë e par pishtole.

 

28.01.2024

Lidhja Europiane për Ndryshim