Vjedhje në zyrat e inspektoratit Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale

Vidhen zyrat e inspektoratit Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale. Drejtori i këtij inspektorati, Ferdi Shabani deklaroi sot para mediave se rasti ka ndodhur pasditen e së shtunës ku ai ishte kthyer në vendin e punës dhe kishte parë gjendjen e zyrave. Ai thotë se nga zyrat janë vjedhur disa laptop, kompjuterë, telefona dhe disa para personale të Drejtorit Shabani. Sipas tij personat të cilët kanë vjedhur, kanë tentuar të hapin edhe zyrat e tjera të Inspektoratit me pajisje të ndryshme por nuk ia kanë arritur qëllimit. Për momentin nuk ka të dyshuar, mirëpo Shabani shtron pyetjen se si është e mundur të kryhet një krim i tillë, përderisa zyrat ndodhen në katin e 12 në objektin e MPB-së.

Marketing

“Dyshime nuk kam. Vetëm kam dyshime se si mund të ndodh një vjedhje kaq e rëndë kur këtu ka edhe zyra nga Ministria e Punëve të Brendshme. Deri në katin e dymbëdhjetë për të arritur ke edhe drejtori të tjera poshtë”, tha Ferdi Shabani, drejtor i inspektoratit Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale.

Ai shtoi se punëtorët ndihen të rrezikuar ndërsa ngjarje të njëjtë ka ndodhur edhe më parë. Shabani hedh përgjegjësi edhe tek sigurimi i objektit.

“Ndjehen të rezikuar sepse këtu kur erdha unë në fillim të muajit prill, vetëm më informuan pak për gjendjen dhe më treguan që ka ndodhur edhe një vjedhje më përpara, ku është vjedhur një kafemat. Këtu sigurimit edhe po të futesh me automat apo tupan nuk u intereson fare se ku shkon. Në disa momente i kam kapur duke fjetur”, tha Ferdi Shabani.

Drejtori Shabani tha se rasti është paraqitur në polici. ISHVL kërkon nga organet kompetente që kjo çështje të zbardhet sa më shpejtë. Në ndërkohë pritet leje nga Gjykata për të parë xhirimet nga kamerat e sigurisë.tvklan.mk