Raphael Varane mund të bëhet ylli i radhës i futbollit evropian që mund të përfundojë në Arabinë Saudite.
Sipas mediumit britanik “Daily Star”, Al-Nassr është në “pole-position” për t’i siguruar shërbimet e qendërmbrojtësit francez, të cilit do t’i skadojë kontrata në fund të këtij sezoni me “Djajtë e Kuq”.
Oferta është stratosferike: rrogë vjetore prej 50 milionë funtesh, respektivisht 58,5 milionë euro.
30 vjeçari kishte zbarkuar në “Old Trafford” në verën e vitit 2021 nga Real Madridi, ndërsa gjiganti britanik i kishte shpenzuar 40 milionë euro për kartonin e tij.
Por, përkundër përvojës së madhe, përfaqësuesi francez nuk ka arritur ta bënte diferencën dhe në këtë sezon nuk ka qenë gjithmonë titullar.
Ai i ka zhvilluar 18 ndeshje në Premierligë, prej tyre vetëm gjysmën nga minuta e parë.
Varane nuk bën pjesë në planet e trajnerit Erik ten Hag dhe qysh në këtë afat kalimtar lojtari u ishte propozuar klubeve të tjera.
Sidoqoftë, lëndimi i Lisandro Martinezit, i cili do ta lë atë disa muaj jashtë fushës së blertë, ka bërë që francezit t’i jepen më shumë hapësira deri në rikthimin e argjentinasit.
Në Al-Nassr, përfaqësuesi francez mund të bëhet prapë bashkë me Cristiano Ronaldon, me të cilin kishte luajtur në Real Madrid dhe në Manchester United.
Në ekipin nga Pro Saudi League luan edhe Alex Telles, i cili po ashtu kishte luajtur në “Old Trafford”, ndërsa në qendër të mbrojtjes luan ish-futbollisti i Manchester Cityt, Aymeric Laporte.