Mbyllen qendrat e votimit në zgjedhjet e papritura presidenciale në Azerbaixhan

Pasditen e sotme nisi numërimi i votave në kryeqytetin azer Baku, ku zgjedhjet e thirrura papritur nga presidenti Ilham Aliyev pritet t’i japin atij mandatin e pestë në karrigen e presidentit.

Marketing

Zhvillimi vjen pasi vitin e kaluar ushtria azere mori kontrollin e rajonit të kontestuar të Nagorno-Karabak nga vendasit armenë etnikë.

Fitorja e radhës duket e sigurtë për Aliyev i cili kontrollon mediat nuk lejon një opozitë të vërtetë në vend, shkruan rrjeti AFP.

Disa parti opozitare bojkotuan votën në vendin e pasur me naftë, ku një prej liderëve opozitarë Ali Kerimli i quante zgjedhjet një “imitim i demokracisë”.

“Vendi ynë nuk ka kushte për të kryer zgjedhje të lira e të drejta,” shtoi ai.

Disa kandidatë të tjerë që janë në konkurrim, janë pa peshë politike dhe kanë bërë më shumë lavde për Aliyev sesa fushatë kundër tij, që prej shpalljes së zgjedhjeve në dhjetor.

Sonte komisioni zgjedhor tha se pjesëmarrja qëndronte në 70.8 përqind.

Ndërkohë presidenti dhe zonja e parë Mehriban Aliyeva votuan në zonë e Karabak, tashmë të zbrazur nga rreth 100 000 banorët e mëparshëm armenë.

Muajt e fundit autoritetet azere kanë ashpërsuar presionin ndaj mediave vendase duke arrestuar disa gazetarë që kanë ekspozuar raste korrupsioni të profilit të lartë, shkruan AFP.

62 vjeçari Aliyev, është zgjedhur fillimisht si president në 2003, pas vdekjes së babait të tij ish-agjent i KGB, që sundonte vendin prej vitit 1993.

Në 2009, Aliyev ndryshoi kushtetutën në mënyrë që të mund të merrte mandate të pakufizuara presidenciale në krye të vendit.