Spanjë: Shembet një pjesë e ndërtesës, tre të vdekur

Autoritetet spanjolle kanë nxjerrë trupat e tre personave nga një pjesë e shembur e një ndërtese në Spanjë.

Marketing

“Ne gjetëm tre trupa në rrënojat e një ndërtese në Badalona,” shkroi sot shërbimi rajonal i zjarrfikësve në rrjetin social X.

Një pjesë e pallatit u shemb dje rreth orës 10:30, pas shembjes fillestare të papafingos, e cila shkaktoi shembje të mëtejshme të banesave. Në videon e publikuar nga zjarrfikësit, shihet një vrimë e madhe brenda ndërtesës që shtrihet deri në katin përdhes të pallatit pesëkatësh.

Xavier Garcia Albiol, kryebashkiak i Badalona, një qytet bregdetar në veri të Barcelonës, tha se shpëtimtarët gjetën trupat e një burri dhe dy grave, njëra prej të cilave ishte një nënë beqare.

“Nëna mbërriti nga Evropa Lindore me dy vajza të vogla, të cilat tani janë vetëm”, tha kryebashkiaku.

Vdiq edhe një grua rreth të 50-ave dhe një burrë rreth të tridhjetave, i cili së fundmi u bë baba.

Mediat spanjolle raportojnë se bëhet fjalë për një pallat me 20 apartamente që është ndërtuar në vitin 1959 dhe së fundmi ka kaluar një inspektim sigurie.