Mexhiti: Ndryshimin e bën RINIA!

Sot gjatë promovimit të hapësirës së re rinore “Doku” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit lideri i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti është shprehur se rinia e bën ndryshimin.

Marketing

“Duke ju përgëzuar për këtë iniciativë dhe për vendosmërinë që ta kultivoni dhe zhvilloni edhe më shumë frymën e Çarshisë tonë duke përqëndruar aktivitetet tuaja pikërisht këtu, mbi kalldërmën dhe nën çatitë që janë dëshmitarë të urtë të historisë tonë, më lejoni të them disa fjalë në emër të Levizjes Demokratike.

-Si fillim, deshiroj t’ua bëj me dije të gjithëve se LD është nismë tërësisht e re – nuk është as vazhdimsi, as fraksion, as pjesë e ndonjë subjekti ekzistues politik në RMV. Pikërisht kjo është edhe arsyeja përse na e kanë frikën dhe na godasin fuqishëm!”, ka thënë Mexhiti.

Ai më tej ka sqaruar se LD është lëvizje e re – JO VETËM politike në RMV, dhe ajo paraqet shans për gjeneratën e re, pikë kthese në kulturën tonë të deritanishme politike, dhe vlerë të shtuar në ambientin tonë të kontaminuar politik, të qelbur nga korrupsioni, të armiqësuar deri në gjak nga ofendimet, urrejtja, dhe fryma e përçarjes! “LD është organizatë politike e të rinjëve për të rinjët! Është organizata politike e të gjithë atyre që prej se kanë lindur para 20 e kusur vitesh, në pushtet dhe në politikë është hiç pa ndërprerje e njejta parti politike.
– LD është struktura politike e cila lindi si përgjigje ndaj regjimit të njëmendësisë të instaluar në politikën shqiptare në RMV për më shumë se 20 vjet”, është shprehur Mexhiti. Sipas tij LD është lëvizje të cilën e prodhoi mohimi i lirisë së shprehjes, ndalimi i fjalës së lirë, mbyllja e mediave të lira dhe hapja e mediave partiake që zyrat i kanë nëpër ministri! LD lindi si rezultat i suspendimit të autonomisë së universiteteve dhe instalimit të pseudo profesorëve të dëgjueshëm partiak, pa integritet akademik, pa paverësi politike, dhe të orientuar ndaj politikanëve e jo ndaj studentëve! LD është kushtrimi i një ere të re politike që bazohet në konceptin themelor të demokracisë që është pikërisht LLOGARIDHËNIA dhe PËRGJEGJËSIA e pushtetit përpara zgjedhësve të tij! BOLL ishte me korrupsion, nepotizëm, klientelizëm, pasurim të paligjshëm;

BOLL ishte me pushtetarë të përjetshëm;

BOLL ishte nga kazinotë, automatet, lojërat e pista të fatit;

BOLL ishte me universitete të kapura nga pushteti;

BOLL ishte me prokurori e gjykata të kontrolluara politikisht;

BOLL ishin largimet nga puna për revansh politik;

BOLL ishte nga shteti i kapur.

Ndryshimi ka filluar. LËVIZ!”, ka thënë Mexhiti para një numri të madh të rinjve.