KSHZ-ja një hap para plotësimit, pritet zgjedhja e Abdush Demirit

Hapet mundësia që Kuvendi ta kompletojë Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Partia e Arijanit Hoxhës tërhoqi kandidatin e saj, Zylfi Adilin dhe me këtë lihet hapësirë që së shpejti të mblidhet Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, i cili duhet ta përcaktojë kandidatin e vetëm nga radhët e opozitës shqiptare, Abdush Demirin. Partia Demokratike Evropiane nuk deshi ta komentojë gjë, prandaj pyetën Adilin cila është arsyeja për tërheqjen e tij.

Marketing

KSHZ-ja një hap para plotësimit/ Zylfi Adili u bë drejtor, pritet zgjedhja e Abdush Demirit
“Nuk e kam tërhequr kandidaturën, por Qeveria më ka emëruar drejtor të Agjencisë për Investime të Huaja”, tha Zylfi Adili për TV21.

Tani kandidati i vetëm për anëtar të KShZ-së mbetet Abdush Demiri, kandidatura e të cilit hasi në përkrahjen e Lëvizjes Besa. Fadil Zendeli, deputet i kësaj partie e cila luftoi ashpër që Demiri ta zërë vendin e zbrazët në KShZ, thotë se tani nuk ka asnjë pengesë që ai të zgjidhet anëtar i Komisionit. Pret që kryetarja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Marija Georgieva, të caktojë seancën sa më shpejt që është e mundur.

“Pas tërheqjes së z.Adili, nuk shoh më asnjë pengesë që shumica të vazhdojë ta bllokojë këtë proces. Domethënë, mbeti vetëm kandidati ynë, i cili sipas Ligjit Zgjedhor duhej të ishte nga opozita. Pres që seanca e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime të caktohet ditëve në vijim dhe më pas të përcillet në Kuvend ku duhet të zgjidhet anëtari i fundit i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, i shtati, dhe me këtë të kompletohet ky komision. Tashmë jemi duke hyrë në procesin zgjedhor”, deklaroi Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.

Edhe koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski thotë se është mirë që tashmë nuk ka asnjë pengesë për plotësimin e karriges së fundit boshe në KShZ, sidomos për shkak të faktit se jemi në prag të zgjedhjeve.

“Dje njëri prej kandidatëve ka tërhequr dokumentet, kështu që janë hapur mundësitë që në Komision të marrim vendim dhe të dërgojmë në seancë plenare material në bazë të të cilit kandidati Abdush Demiri do të jetë kandidat për plotësimin e vendit në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Zgjedhja bëhet me shumicë prej dy të tretave dhe pres që brenda afatit të paraparë të arrijmë ta plotësojmë Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, në mënyrë që të mund të punojë me kapacitet të plotë në drejtim të përgatitjes së zgjedhjeve të rregullta presidenciale dhe parlamentare”, tha Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së.

Vendi në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve mbeti bosh një vit më parë pasi Krenar Lloga u zgjodh ministër i Drejtësisë pas hyrjes të Aleancës për Shqiptarët në Qeveri. Për zgjedhjen e anëtarit të KShZ-së nevojitet të votojnë së paku 80 deputetë, gjegjësisht shumicë prej 2/3, e cila për momentin është ende e pasigurt.