Samiti në Tiranë, Erdogan përgëzon Shqipërinë: Gati të rikthej bisedimet Rusi-Ukrainë

Samitin e zhvilluar në Tiranë për Ukrainën e ka përshëndetur përmes një videomesazhi edhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan.

Marketing

Nëpërmjet një videomesazhi të dëgjuar përgjatë samitit, Erdogan tha se ai është gati që të rikthejë palët në tryezën e diskutimeve, duke iu referuar Ukrainës e Rusisë.

“Jemi gati të rikthejmë palët në tryezën e negociatave, ashtu siç e bëmë në fillim të luftës në Stamboll. Dua të përshëndes pjesëmarrësit në këtë samit, në mënyrë të veçantë mikun tim, Kryeministrin Edi Rama dhe të gjithë ata që kanë kontributin e tyre në organizimin e këtij samiti”, tha Erdogan.

Erdogan ka rikonfirmuar mbështetjen për sigurinë dhe sovranitetin territorial të shtetit të Ukrainës dhe i qëndroi premtimit të tij për të kontribuar në ndërtimin e Ukrainës. Po ashtu Erdogan mbështeti planin e paqes me 10 pika të Zelenskyt.

“Turqia mbështet Pavarësinë e Ukrainës, sigurinë dhe sovranitetin territorial. Ne po bëjmë gjithçka të mundur që të mbrojmë të drejtat e tatarëve të Krimesë. Ne do të marrim pjesë dhe kontribuojmë për ndërtimin e shpejtë të Ukrainës. Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet tona, ndonëse asnjëherë nuk është mjaftueshëm për të vendosur paqen. Unë vijoj që të ruaj vizionin tim për të pasur një paqe të gjatë për t’i zgjidhur gjërat me diplomaci dhe t’i japim një shans dialogut.

Ne duhet të përdorim të gjitha kanalet diplomatike për të arritur qëllimet tona. Unë besoj në përpjekjet tona të përbashkëta për të caktuar një kornizë të përgjithshme të paqes. Në parim, ne mbështesim planin me 10 pika të paqes të Presidentit Zelensky. Ne gjithashtu, kemi qenë mbështetës të planit të tij për të garantuar sigurinë ushqimore. Që Plani i Paqes të ketë sukses, ai duhet të përfshijë të gjitha palët”.

Erdogan shtoi ndër të tjera se Turqia mbetet në kontakt me palët në Detin e Zi dhe do të punojë për vendosjen e sigurisë.