VLEN e akuzon BDI-në për diskriminim ndaj punonjësve të pesë Universiteteve publike në vend. Në Konferencë për shtyp, Blerand Ramadani nga VLEN tha se ish-kryeparlamentari Talat Xhaferi nuk i ka nënshkruar marrëveshjet edhe me këto pesë universitete që punonjësit e tyre të kenë rritje të pagave prej 22%. Ramadani parashtroi pyetje edhe për deputetët e BDI-së, se kundër kujt dolën në protestën e organizuar nga sindikatat e 5 universiteteve publike.
“BDI-ja në ditën kur sindikatat organizuan protestë të përgjithshëm e dërgon Arbër Ademin për t’i njoftuar se në këtë periudhë zgjedhore nuk mund të nënshkruhet marrëveshje. Kundër kujt protestuan në Tetovë deputetët e BDI-së, kundër kryeministrit teknik, i cili derisa ishte kryetar i Kuvendit nuk nënshkroi marrëveshjen kolektive. Ditët e keni të numëruara, kanë ngelur edhe 60 ditë deri te ikja e juaj në opozitë”, tha Blerand Ramadani.