Kryeministri Xhaferi e vizitoi Qendrën Memoriale në Prekaz

Sot, Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në kuadër të vizitës në Kolegjin AAB në Prishtinë, ishte edhe në qytezën e Prakazit, ku gjendet Qendra Memoriale „Adem Jashari”, për të shprehur edhe nderimet personale me vënien e luleve të freskëta mbi varret e viktimave eshtrat e të cilëve pushojnë atje.

Marketing

Bëhet fjalë për 56 anëtarë të familjes Jasharaj, të cilët më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, u vranë në pragun e shtëpive të veta, në luftën për liri dhe pavarësi të atdheut.

Njëherazi, Kryeministri Xhaferi i vizitoi edhe një pjesë të anëtarëve të familjes Jashari që janë kujtim i gjallë i atyre ditëve jashtëzakonisht të rëndësishme të historisë së Republikës së Kosovës.

Këto janë data me të cilat shënohet Epopeja e UÇK-së dhe kjo Qendër Memoriale është vendi kah i cili drejtohen numër shumë i madh i qytetarëve dhe mërgimtarëve të cilët i shprehin nderimet e veta ndaj këtij përkujtuesi të luftës për liri.