Joe Biden do të nënshkruajë legjislacionin që kërkon largimin e TikTok-ut

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka njoftuar se do të nënshkruajë një legjislacion që i jep ByteDance të Kinës rreth gjashtë muaj kohë për të larguar aplikacionin popullor TikTok.

Marketing

Ky njoftim nga presidenti amerikan vjen pasi rivali i tij Donald Trump ngriti shqetësime për ndalimin e aplikacionit të përdorur nga 170 milionë amerikanë.
Bëhet e ditur se Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së po planifikon që javën e ardhshme të votojë mbi projektligjin i cili kërkon dy të tretat e votave për të fituar miratimin, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Nëse e kalojnë, unë do ta nënshkruaj”, tha Biden.

Republikani Trump i cili po kërkon rikthim në Shtëpinë e Bardhë, shprehu kundërshtim për ndalimin e TikTok-ut.

“Nëse largoni TikTok, Facebook do të dyfishojë fitimet e biznesit të tyre”, tha Trump.

Për dallim prej Trump, ish-zëvendëspresidenti në qeverinë e tij, Mike Pence, është shprehur në përkrahje të legjislacionit.

“Kina po helmon mendjet e fëmijëve amerikanë. Mjaft është mjaft”, shkroi ai në rrjetin social X.

Projektligji do t’i jap ByteDance 165 ditë kohë për të larguar TikTok-un. Nëse nuk do ta bëjë këtë, dyqanet e aplikacioneve të operuara nga Apple, Google, dhe Alphabet, nuk do mund të ofrojnë legalisht shkarkimin e tij.

Ndryshe, aplikacioni popullor i videove tha se nuk është e vërtetë që të dhënat e përdoruesve amerikanë ndahen me qeverinë kineze.

“Qeveria po përpiqet të ua largojë 170 milionë amerikanëve të drejtën e tyre kushtetuese për shprehje të lirë”, tha TikTok.