Kolla e keqe, shkon në 160 numri i të infektuarve

Ka shkuar mbi 160 numri i të prekurve me kollën e keqe. Inspektorati shtetëror sanitar shëndetësor me kontrolle të jashtëzakonshme nëpër të gjitha çerdhet publike dhe private në vend. Ata dorëzuan vendimet për ndalimin e pranimit të fëmijëve që nuk janë të vaksinuar me Di-te-per. Sipas informacioneve të Alsat, disa çerdhe në Shkup kanë kthyer mbrapa fëmijë që nuk ishin të vaksinuar.

Marketing

“Kontrollet e jashtëzakonshme inskeptuese do të fillojnë me vendimet për ndalesë të pranimit të fëmijëve që nuk janë të imunizuar me vaksinën Diteper, ose janë të vaksinuar pjesërisht, dhe masa të tjera epidemiologjike. Poashtu do të obligohen përgjegjësit nëpër çerdhe që të përgatitin lista të fëmijëve të pavaksinuar. Të mos pranohen fëmijë me sëmundje të tjera infektive, si dhe për mungesat e shtuara të fëmijëve të njoftohet Qendra e Shëndetit Publik Shkup”, thonë nga Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor.

“Jo vetëm në territorin e Shkupit ku është shpallur epidemija, por në nivel shtetëror do të ketë kontrolle të përforcuara inspektuese dhe do të kërkoj në çdo mënyrë të vaksinohen ata që nuk janë të vaksinuar”, deklaroi Ilir Demiri, Ministër i Shëndetësisë.
Autoritetet shëndetësore insistojnë se vaksinimi është mënyra e vetme për mbrojtje.

“Ne insistojmë për vaksinim sa më gjithëpërfshirës, sa më të kompletuar. Është e qartë prej njohurive bazike të mjekësisë se në vendet ku ngec vaksinimi, bie përqindja e fëmijëve të vaksinuar pritet të përhapet epidemia. Numrat janë në nivel ditor 8,9,10 deri 11. Kur fillon të përhapet një sëmundje infektive, nëse nuk ke masë të vaksinuar, ajo përhapet, nuk ka mënyrë si të ndalohet, përveç që të sëmuret popullata e atëherë do të imunizohen. Domethënë ose do të duhet të vaksinohen, ose të sëmuren”, u shpreh Besim Zeqiri, Drejtor I Qendrës për Shëndet Publik.

Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik tha se pas shpalljes së epidemisë kundër kollës së keqe, është rritur dukshëm numri i të vaksinuarve me Di-te-per, por Akoma nuk është në nivel të kënaqshëm. Që popullata të jetë e mbrojtur, vaksinimi duhet të jetë i përfshirë mbi 95 për qind. /Alsat.mk