KSHZ-ja sot duhet t’i konfirmojë kandidaturat presidenciale

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) pritet që sot të mbajë seancë ku duhet të kofirmojë kandidaturat e shtatë kandidatëve presidencial për zgjedhjet e 24 prillit.

Marketing

Kandidatura kanë paraqitur Stevo Pendarovski i mbështetur nga LSDM-ja dhe koalicioni, Gordana Siljanovska – Davkova e mbështetur nga VMRO-DMPNE-ja dhe koalicioni, Maksim Dimitrievski nga ZNAM, Biljana Vankovska e mbështetur nga E Majta, Bujar Osmani nga BDI, Stevço Jakimovski nga GROM dhe Arben Taravari i mbështetur nga koalicioni “VLEN”. Shortin për përcaktimin e listës së vetme të kandidatëve KSHZ-ja do ta mbajë më së voni me 28 mars.

KSHZ-ja pas pranimit të listave të kandidatëve, ka kontrolluar nëse ato janë konform me dispozitat e Kodit zgjedhor dhe kontrolloi nëse kandidatët për president i plotësojnë kushtet e parapara me Kushtetutë dhe nenin 7 paragrafi 2, 3 dhe 4 të Kodit zgjedhor, përmes kontrollimit të të dhënave në regjistrat përkatës të institucioneve kompetente. Institucionet që posedojnë të dhënat për plotësimin e kushteve janë detyruar t’i dorëzojnë të dhënat në formë elektronike komisionit brenda 24 orëve nga marrja e kërkesës pa asnjë kompensim.

Nëse KSHZ-ja konstaton se lista është dorëzuar në afatin e caktuar dhe është vendosur në përputhje me dispozitat e Kodit zgjedhor, listën e dorëzuar do ta konfirmojë me vendim menjëherë, më së voni në afat prej 24 orësh. Nëse konstatohet se në listë ka parregullsi të caktuara, KSHZ-ja do të ftojë përfaqësuesit e autorizuar të parashtruesit të listës për t’i hequr parregullsitë brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit të komisionit për parregullsitë. Nëse parregullsitë ose lëshimet hiqen brenda afatit ligjor, lista e dorëzuar do të konfirmohet me vendim. Në rast të parregullsive nga neni 67 paragrafi (2) nga Kodi zgjedhor, parashtruesi listës mund të zëvendësojë kandidatin e propozuar që nuk i plotëson kushtet me një kandidat të ri brenda afatit kohor prej 48 orësh dhe është i detyruar që vetë të sigurojë të dhënat për plotësimin e kushteve të parapara në nenin 7, paragrafi (2), (3) dhe (4) nga Kodi zgjedhor.

Sipas librit të afateve për aktivitete zgjedhore nëse KSHZ-ja konstaton se lista nuk është dorëzuar në kohë, përkatësisht pas afatit të caktuar, listën e dorëzuar do ta refuzojë me vendim brenda 24 orëve.

Nëse KSHZ-ja konstaton se parregullsitë ose lëshimet, parashtruesi i listës nuk i ka hequr brenda 48 orëve, listën e dorëzuar do të refuzojë me vendim më së voni në afat prej 24 orëve, duke llogaritur skadimin e afatit për heqjen e parregullsive.

Parashtruesit e listave ose kandidaturave munden përmes përfaqësuesve të tyre të autorizuar të paraqesin kërkesë me shkrim për tërheqjen e listës ose kandidaturës brenda 48 orëve nga miratimi i vendimit për konfirmimin e listave përfundimtare në pajtim me nenin 67 paragrafi (5) të Kodit zgjedhor. Kur bëhet fjalë për tërheqjen e listës së kandidatëve lista mund të tërhiqet vetëm në tërësi.

Ndërkohë partitë politike dhe koalicionet po përgatiten për promovimin dhe publikimin e programeve të presidentëve, por dhe të bartësve të listave për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 8 majit. Ngjarje të tilla këtë fundjavë ka paralajmëruar LSDM-ja e cila do të mbajë seanca të Komitetit qendror dhe ekzekutiv dhe Kongres, VMRO-DPMNE do të ketë ngjarje të madhe promovuese, ZNAM…

Partive u mbeten edhe 14 ditë deri në fillimin e fushatës për zgjedhjet presidenciale, ndërsa në rrjedhë janë afatet për përgatitjen e listave për deputetë. Listat e kandidatëve për deputetë në Kuvend i dorëzohen KSHZ-së nga përfaqësuesit e autorizuar, më së voni deri në mesnatë të datës 2 prill.