ASH e Ziadin Selës dhe PDE e Arjanit Hoxhës nuk dihet ende se a do t’i bashkohen “Frontit Evropian” të nisur nga BDI e Ali Ahmetit.
Zërat e fundit janë që këto dy subjekte të formojnë një koalicion të përbashkët, ose ASH e Selës të dal e vetme bazuar edhe tek një vendim i organeve partiake. Deri në fund të kësaj jave gjithçka pritet të definohet.
Sa i përket ofertës së Ahmeti për t’iu bashkuar “Frontit Evropian”, si çështje pakënaqësie janë pozicionimet e ofruara në listat për deputetë për këto dy parti.
Burime për TV21 kanë theksuar se Hoxhës i janë ofruar pozita jo fituese në listën zgjedhore në njësinë e 6, pra të jetë i teti në renditje ndërsa në zonën dy, Bastri Bajrami është lënë i pesti në renditje. Sa i përket ASH-së, në zonën dy fillimisht Elmi Aziri ishte paraparë i dyti në renditje ndërsa më vonë është zbritur i katërti.
Kreu i ASH-së Ziadin Sela i pyetur nga TV21 nëse me të vërtetë ka pakënaqësi gjatë zhvillimit të bisedimeve për koalicionim, ka theksuar se kur të ketë diçka për të thënë, do të thërrasë vetë.
Nga kjo parti kanë bërë të ditur se ditëve në vijim organet vendimarrëse do të vendosin se cili do të jetë rrugëtimi i tyre. Edhe nga PDE kanë thënë. se deri në fund të javës do të ketë vendim.
Lideri i Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi-Zejdi i cili i’u bashkua “Frontit Evropian” mbrëmë ka bërë thirrje te partitë tjera, t’i bashkohen koalicionit “Fronti Europian”. Ai në një intervistë për TV21 duke aluduar tek partitë e lartëpërmendura porositi që të shohin interesin e shoqërisë dhe rinisë, të cilët sipas tij, gjithnjë dhe më tepër po shpërngulen nga vendi.
“Në këtë frymë duhet të veprojnë edhe partitë tjera politike. Të ulen dhe të shohin interesin e shoqërisë dhe të ardhmen e rinisë, të cilët gjithnjë dhe më tepër po shpërngulen nga vendi, ta shohim një mundësi se si t’i mbajmë, kthejmë dhe t’i ushqejmë me vizionin europian i cili është dhe do jetë ushqim shpirtëror, politik dhe në gjitha fushat tjera politike”, deklaroi Zejdi.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti po ashtu i ka bërë thirrje partive politike që ti bashkohen frontit evropian. Këtyre ditëve, pritet nënshkrimi i një marrëveshje me një parti turke.