Kurti nuk ndryshon qëndrim për dinarin: Ndihmat për serbët të vazhdojnë, por në euro!

Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve, dhe raundeve të reja të bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel për çështjen e dinarit serb, Albin Kurti, nuk jep shenja tërheqjeje nga qëndrimi tij.

Marketing

Kryeministri i Kosovës u shpreh se vendimin që euro të jetë e vetmja valutë si mjet pagese në vend e ka marrë Banka Qendrore e Kosovës dhe se ekzekutivi do ta mbështesë atë. “Është Banka Qendrore e Kosovës ajo që vendosi për rregulloren e re, ajo e ka bërë planin tremujor të tranzicionit në 10 hapa. Ne, do ta mbështesim këtë plan për aq sa kërkohet nga ekzekutivi me dikasteret e vet. Jemi në rrugët të mbarë dhe është e qartë se pavarësisht paralajmërimeve apokaliptike nga Beogradi, praktikisht nuk ka incidente në terren. Edhe në Leposaviç, Zveçan, Zubin Potok e veri të Mitrovicës nëpër lokale të ndryshme po paguhet me euro pa probleme”, u shpreh ai.

Kurti e theksoi se Prishtina zyrtare nuk kundërshton faktin që qytetarët serbë të vazhdojnë të marrin ndihma nga Serbia, por i mëshon idesë që këto pagesa të bëhen me monedhën europiane. “Të mos harrojmë se mbi 33 mijë llogari bankare ku serbët i marrin ndihmat e tyre në valutën euro që ua jep Qeveria e Kosovës. Ne nuk jemi për ndalimin e ndihmave që vijnë nga Beogradi por nëse ato dërgohen në dinarë duhet të bëhen euro në Kosovë”, ka shtuar kryeministri.