Pamje nga aksidenti tragjik në Shqipëri ku vdiqën 8-të persona

Tetë persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë në Këlcyrë në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte. Ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të fshatit Kuqar, kur një makinë tip “Benz” ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosa.

Marketing

Policia njoftoi se viktimë ka mbetur shoferi nga Shkodra dhe 7 shtetas që dyshohet se janë klandestinë.

“Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë. Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas. (7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra)”, njoftoi policia.

Në vendin e ngjarjes ndodhen uniformat blu të cilët kanë nisur hetimet nën drejtimin e prokurorit për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti. Gjithashtu në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik.

Pritet që për këtë ngjarje të ketë një njoftim më të detajuar më vonë.

Ndërkohë siç duket nga këto pamje të siguruara nga vendi i ngjarjes, makina e aksidentuar është shkatërruar pothuajse e gjitha duke mos i lënë mundësinë asnjë personi brenda që të mbijetojë.