Analistët: BDI do të jetë faktor kyç për formimin e shumicës së re qeveritare!

Zgjedhjet e 11-ta parlamentare këtë vit dallojnë shumë nga zgjedhjet e kaluara, pasi që para qytetarëve shfaqen dy opsione me kapacitete më të mëdha koalicionuese, në bllokun shqiptar “Fronti Europian” i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), dhe në atë maqedonas blloku i udhëhequr nga LSDM. Analistët politik për PRESSonline.al – thonë se pikërisht këto blloqe arritën të anëtarësojnë vendin në NATO, dhe nga ato pritet që të përafrojnë procesin euro-integrues.

Marketing

“Gjithsesi se kanë kapacitete më të mëdha koalicionuese për shkak se në të kaluarën është dëshmuar që mund të shkojnë përtej vijave ndarëse etnike. Normalisht kur bëhet fjalë për të arriturat e deritanishme të LSDM- BDI-së, kryefjala është tek anëtarësimi i vendit në NATO dhe sigurimi i hapjes së negociatave me BE-n, ndonëse kjo ka stagnuar për shkak mos bërjes së ndryshimeve kushtetuese”, deklaroi për PRESSonline.al, Sefer Selimi – analist politik.

Në anën tjetër, politikologu Petar Arsovski në deklaratë për PRESSonline.al vlerëson se formimi i “Frontit Europian” flet shumë për përparimin e kësaj shoqërie. Sipas Arsovskit edhe Selimit pikërisht për këtë BDI do të mbetet partner më i dëshiruar dhe faktor kyç për formimin e shumicës së re qeveritare.

“Siç duket primatin për të qenë partner më i dëshiruar për koalicion, në veçanti për komunitetet më të vogla etnike në Maqedoninë e Veriut është duke e marr BDI-ja me koalicionin të quajtur “Fronti Europian”. Në këtë, siç duket ka ndikuar edhe pritshmëria se LSDM me shumë gjasë, nuk do të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve, ndërkaq BDI pritet sërish të jetë faktor kyç në ndërtimin e shumicës së ardhshme parlamentare”, tha Selimi për PRESSonline.al

“Tani për tani nuk mund të flitet për kapacitetet e koalicioni, sepse partitë ende nuk kanë marrë rezultatin zgjedhor. Disa prej partive veç kanë bërë të ditur se kanë partnerë të preferuar koalicioni, por kjo mund të ndryshojë pas zgjedhjeve. Sa i përket koalicioneve shqiptare të Maqedonisë, ato janë një tregues i mirë se sa kemi përparuar ne si shoqëri – por për mendimin tim, më mirë do të ishte të kishim koalicione parazgjedhore, që votuesit të dinë se çfarë programi dhe platforme do të zbatohet”, tha Arsovski për PRESSonline.al

Por cila parti, koalicion dhe platformë e premton të ardhmen e sigurt evropiane, Selimi më këtë përgjigje:

“Duket që fushata zgjedhore do të fokusohet në dy elemente kryesore tek blloku maqedonas se kush garanton të ardhmen evropiane të cilën po orvatet ta monopolizojë LSDM-ja, ndërkaq nga ana tjetër VMRO-DPMNE do të premtojë që do të jetë në mbrojtje të kauzës maqedonase. Tek shqiptarët blloqet do të ndahen në dy segmente të veçanta, ashtu siç dihet BDI do të premtojë stabilitet në procesin e integrimeve europiane, ndërkaq opozita do ti bie daulleve të ndryshimet duke premtuar se do të luftojë krimin dhe korrupsionin”, tha Selimi.

Selimi dhe Arsovski pajtohen se gjatë përbërjes së fundit qeveritare, shqiptarët kanë pasur përfaqësim më të madh në ekzekutiv si asnjëherë më parë.

“Mendoj se kjo Qeveri aktuale ka pasur numër rekord të përfaqësimit të shqiptarëve në ekzekutiv”, tha Selimi.

“Maqedonia po hyn në një cikël të ri të etnocentrizmit dhe nacionalizmit të fshehur, prej nga rrjedh edhe narrativi se shumë u është dhënë partive shqiptare nga ‘torta ekzekutivit’. Mirëpo nuk duhet harruar se në fakt LSDM –ja nuk do të ishte në pushtet, po të mos ishin partitë shqiptare, të cilat në disa raste shpëtuan shumicën në pushtet”, tha Arsovski për PRESSonline.al

Në vitin 2017 LSDM erdhi në pushtet, me ndihmën e BDI-së. Që atëherë e deri më sot ata në vazhdimësi kanë formuar shumicën e nevojshme parlamentare. Zgjedhjet e 11-ta parlamentare mbahen më 8 maj, së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.