Taravari elaboroi Platformën Presidenciale

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari në konferencë për shtyp sot shpalosi Platformën Presidenciale e cila bazohet në katër shtylla, Maqedonia e Veriut e integrintegruar në rajon dhe Evropë,  Maqedonia e Veriut prodhuese e sigurisë, shteti i së drejtës dhe demokracia konsensuale.

Marketing

“Integrimi në Bashkimin Evropian është synimi ynë i padiskutueshëm, është rruga jonë e vetme për stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë, dhe si e tillë do të jetë edhe prioriteti im më i lartë si President. Në politikën rajonale, do të angazhohem për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal në bazë të vlerave tona, ndër të cilat është edhe Kosova si shtet i pavarur, sovran dhe i barabartë. Zotimet e mia kryesore në këtë rrafsh janë se do të  kërkoj garanci nga përfaqësuesi i lartë i BE-së që pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë kërkesa shtesë për Maqedoninë e Veriut përtej kornizës negociuese të vitit 2022, mandatin për formimin e qeverisë do t’ia besoj partisë apo partive të cilat dëshmojnë që kanë shumicë në Kuvend, duke kërkuar nga mandatari plan të afatizuar për realizimin e ndryshimeve kushtetuese dhe bazuar në nenin 121 të Kushtetutës, do t’i propozoj Kuvendit daljen e menjëhershme të Maqedonisë së Veriut nga nisma Ballkani i Hapur”, tha Taravari duke shtuar se si president po ashtu do të angazhohet për harmonizimin e plotë të politikës sonë me atë të BE-së, veçanërisht në lidhje me sanksionet e BE-së kundër Rusisë.

Në lidhje me shtyllën e dytë, Maqedonia e Veriut prodhuese e sigurisë, Taravari tha se BE, SHBA dhe NATO janë aleatët e pazëvendësueshëm, prandaj Maqedonia e Veriut është e gatshme të luajë rolin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botën përkrah aleatëve.

“Maqedonia e Veriut është vend i sigurt dhe nuk përballet me asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë të jashtëm. Por kjo nuk do të thotë se Rusia nuk përbën kërcënim. Rusia do të vazhdojë të nxisë frikë dhe të krijojë destabilitet, përderisa varësia energjetike dhe vulnerabiliteti nga sulmet kibernetike mbeten kërcënime të vazhdueshme për ne.  Parimi bazë mbi të cilin ndërtohet strategjia ime për sigurinë është që Maqedonia e Veriut nuk do të jetë vetëm konsumatore e sigurisë, por edhe prodhuese e sigurisë në rajon dhe në botë. Si Presidenti ardhshëm, zotohem se – Maqedonia e Veriut, do të sigurojë buxhet të qëndrueshëm shumëvjeçar të mbrojtjes në nivelin prej 2% të produktit të brendshëm bruto, në përputhje me kriteret e NATO-s, do të kujdesem për de-jugosllavizimin e Armatës dhe të Agjencisë së Zbulimit duke emëruar vetëm profesionistët më të mirë dhe më të dëshmuar, përfshirë edhe sa i përket sistemit të tyre të vlerave pro-perëndimore, do të ndihmoj që t’i japim fund varësisë sonë energjetike nga Rusia duke lehtësuar formulimin e një koncepti shtetëror të energjisë dhe do të krijoj një Task Force për siguri kibernetike e cila do në ndihmojë në parandalimin hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve kibernetike”, tha Taravari.

Taravari tha armiku më i madh është sistemi gjyqësor i korruptuar dhe mban peng vendin dhe po e largon rininë dhe se vetëm 2% e qytetarëve besojnë në sistemin e drejtësisë.

“Si President i ardhshëm, zotohem se do t’i kërkoj Kuvendit sjelljen e një pakoje legjislative për reformimin e tërësishëm të sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë. Kjo pako duhet të përmbajë ligjin për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, reformimin e sistemit për zgjedhjen, avancimin dhe disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve publik, si dhe digjitalizimin e plotë të gjykatave, do të shtyj përpara idenë e themelimit të Komisionit për Standardet në Jetën Publike, bazuar në përvojën e Mbretërisë së Bashkuar. Ky trup do të ketë për synim promovimin e etikës dhe moralit në jetën publike, si organ këshillimor i Presidentit dhe organeve shtetërore përgjegjëse për shtetin e së drejtës, do të angazhohem për anulimin e ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2023 që ishin anti evropiane dhe të dëmshme në luftën kundër korrupsionit dhe si president i Republikës, zotohem se nuk do të dekretoj shpalljen e ligjeve laksiste që e largojnë edhe më tej vendin nga normat evropiane siç ka ndodhur në të kaluarën”, u shpreh kandidati i koalicionit VLEN, Arben Taravari.

Në lidhje me shtyllën e katër, Taravari theksoi se vendi ka krizë ekonomike, politike dhe etike dhe këto kriza kanë polarizuar shoqërinë duke ndikuar në thellimin e ndasive, rritjen e euroskepticizmit forcimin e narrativeve ekstremiste dhe minimin e demokracisë liberale dhe konsensuale.

“Duhet të tejkalojmë edhe këtë sfidë, siç i kemi tejkaluar kthesat historike në tre dekadat e mëvetësisë. Nga ky tranzicion duhet të dalim si një vend i bashkuar. Me vizion të përcaktuar nga parime e ideale të patundshme, do të punoj për afirmimin dhe thellimin e demokracisë konsensuale, në frymën e Arbën Xhaferit, i cili ishte dhe vazhdon të ngelet udhërrëfyesi im politik. Si President i ardhshëm, zotohem se me ndryshimin e ardhshëm të Kushtetutës, do të kërkoj që zgjedhja e Presidentit të bëhet në Kuvend përmes mekanizmit të shumicës së dyfishtë, në mënyrë që Presidenti të jetë përfaqësues i unitetit popullor. Nëse asnjë kandidat nuk i merr ⅔ e votave me Badinter në dy rrethet e para të votimit, Presidenti do të zgjedhet në votim e tretë me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit dhe shumicën e votave të deputetëve të cilët u takojnë bashkësive të cilat nuk janë shumicë, do të kujdesëm që nga Kushtetuta të eliminohet përkufizimi fyes i gjuhës shqipe si “gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve” dhe që gjuha shqipe, në alfabetin e saj, të jetë gjuhë zyrtare në tërë territorin e Republikës në nivel të barabartë me gjuhën maqedonase dhe në bashkëpunim me organizatat qytetare dhe mediat, do të ndërmarr nismë presidenciale për të luftuar për Lirinë e Medias dhe në veçanti dezinformimin pro-rus. Do të mbyllen mediat ruse dhe ato të financuara nga Rusia, gjithnjë duke u kujdesur për respektimin e të drejtës për lirinë e shprehjes dhe të informacionit”, tha në fund elaboritmit kandidati për president, Arben Taravari.