Rrëfehet Lorik Cana: Te Lazio zbuluan se kisha një problem në zemër

Ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana ka qenë pjesë e Lazios për katër vite, nga 2011 deri në vitin 2015. Më pas u largua për të luajtur me Nantes vetëm për një sezon dhe e mbylli karrierën në Francë.

Marketing

Duke folur për “Oh My Goal”, ish-mbrojtësi tregoi një detaj të papublikuar për përvojën e tij në Romë: “Në vitin 2015 u diagnostikova me një sëmundje të muskujve të zemrës. Më kishte mbetur edhe një vit nga kontrata me Lazion, isha 32 vjeç. Kisha ardhur nga një sezon i shkëlqyer në Romë, kishim përfunduar të tretët në Serie A dhe në finalen e Kupës së Italisë. Kisha kaluar një pjesë të mirë të sezonit me De Vrij në qendër të mbrojtjes dhe në fund u zbulua ky problem. E gjeta veten në një situatë krejtësisht të re që nuk e njihja më parë”, tha Cana.

Problemi në zemër

“Nuk doja të ndalesha, sepse kishte ende një gjë që doja të arrija në karrierën time, kualifikimin e kombëtares sime për një turne të rëndësishëm, diçka që nuk ishte parë më parë. U afruam shumë sepse kishim katër ndeshje të mbetura, ato të shtatorit dhe tetorit, nëse do të isha gjetur në të njëjtën situatë një vit më vonë, në 2016, do t’i kisha dhënë fund karrierës sime menjëherë sepse kardiologët vërtet nuk donin që unë të vazhdoja dhe menjëherë më këshilluan të ndaloja”, tha Loriku.

Më pas të gjithë e dinë që paçka problemit në zemër dhe këshillave të mjekëve, Lorik Cana udhëhoqi kuqezinjtë për në “Francë 2016”.