Pendarovski nga Struga: Këtu jam edhe në 5 vitet e ardhshme që t’ju ndihmoj aq sa mundem dhe di

Kandidati për President, Stevo Pendarovski, sonte mbajti miting qytetar në Strugë.

Marketing

Duke i falënderuar struganët për praninë masive, Pendarovski tha se përgjigjen e pyetjes a është President i të gjithëve do ta gjejnë në punën e tij në 5 vitet e kaluara dhe u premtoi se do të jetë këtu për ta edhe në pesë vitet e ardhshme, t’i ndihmojë sa mundet dhe di.

Para struganëve Pendarovski foli edhe për atë që është kryer deri më tani dhe theksoi se rëndësia e hyrjes së vendit në NATO është identike si pavarësimi ynë. Në këtë drejtim Pendarovski theksoi se opozita, jo vetëm që nuk ofron plan si do të çojë Maqedoninë në BE, por dëshiron ta anulojë Marrëveshjen e Prespës.

“Ata nuk ofrojnë plan alternativ, duan vetëm të vijnë në pushtet. Duan të negociojnë përsëri, ta detyrojnë Bullgarinë të bëjë lëshime. E Veriut nuk u pëlqen, kurse rrogë marrin në Kuvend. Tani edhe në Qeveri kemi, në qeverinë teknike kemi ministra të VMRO-DPMNE-së dhe ata marrin rrogë nën Maqedonia e Veriut. Dhe nuk i kthejnë as rrogën, as mandatin – në atë pjesë e Veriut nuk i pengon”, nënvizoi Pendarovski.

Duke folur për punën në pesë vitet e ardhshme, Pendarovski tha se edhe pse puna më e vështirë ka përfunduar, megjithatë shteti mbeti në gjysmë të udhës në ballafaqimin me korrupsionin. E hapi idenë se është i domosdoshëm vetingu i të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, por edhe i të gjithë politikanëve.

Pendarovski u bëri thirrje qytetarëve të Strugës më 24 prill të mos lejojnë shteti të kthehet pas dhe ta vazhdojnë së bashku zhvillimin evropian të vendit.