Fronti Europian hapi shtabin në Saraj

Në bastionin e Bashkimit Demokratik për Integrim, në sheshin “Isa Boletini” në Saraj të Shkupit u hap Shtabi Komunal për zgjedhjet presidenciale të 24 prillit dhe parlamentare të 8 majit. Para një numri të madh qytetarësh programin dhe vizionin e frontit e shpalosën eksponentë të partive politike të koalicionit.

Marketing

Të pranishëm ishin, zëvendës kryeministri Artan Grubi, bartësi i listës për deputet në Njësinë Zgjedhore numër I, Blerim Bexheti, kandidati për deputet Ilir Hasani, Rafiz Haliti, deputeti Arben Ziberi, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Naim Bajrami, kryetari i komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki, kandidatja për deputete Hatixhe Topalli, kryetari i Lidhjes Demokratike Boshnjake dhe kandidat për deputetë Munir Kolashinac, kryetari degës së BDI-së Çair, Bekim Neziri dhe eksponentë të tjerë të “Frontit Europian”.

Artan Grubi tha se secilit front kur hapet në vijat e para i duhet një komandat, një arkitekt – e ai është Ali Ahmeti, krijuesi i këtij Fronti Europian.

“Përveç se komandat, duhen edhe Gjeneral, e Gjeneral kemi bërë me nëntë yje, për mashallah, siç i shihni te Fronti Europian. Gjithë ata që janë forcë progresive e ua mendojnë të mirën shqiptarëve, boshnjakëve, romëve, turqve, por edhe të tjerëve, edhe maqedonaseve, që e duan këtë vend anëtarë të Bashkimit Europian, janë reshtu pas idesë tonë për Frontin Europian. Kush është përballë Frontit Europian? Fronti është vija e betejës ku ndërtohet istikam. Po ndërtojmë front për arsye se jemi të rrezikuar, jo si individ por gjithë ne si bashkësi. Po na presin ditë të vështira! Kemi dalë me moton “Jo Rusisë, Po Europës!”, sepse çdo ditë po shohim se ky vend po ndikohet nga linja serbo-ruse, sllavo-ortodokse dhe po e sfidon rrugëtimin tonë europian, andaj u bë me doemos nevoja për ta formuar Frontin Europian. Ky front është front i pajtimit, më së pari ja kemi shtruar dorën e pajtimit njëri-tjetrit, pastaj ja kemi shtruar dorën e pajtimit edhe Munirit, Naimit, Azemit, Zejdit, Arjanitit sepse të gjithë e kemi parë se duhet të bëhemi bashkë për ti ballë këtij rreziku. Cili është rreziku? Nuk është vetëm rreziku i largimit nga rruga europiane, por është rreziku i mposhtjes së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe mitit të Ali Ahmetit, të arriturave të Marrëveshjes së Ohrit”, tha zëvendës kryeministri Grubi.

Ai theksoi se opozitën që e kemi përballë, ne të gjithë këtu bashkë për të bërë projekte, rrugë, shkolla, çerdhe, ujësjellës, kanalizim, autostrada, Korridor 8, Bashkim Europian, miqësi me Amerikën…

Çfarë kanë ato përballë nesh? Të behemi bashkë ta rrënojmë Ali Ahmetin. Bëhemi bashkë ta rrënojmë BDI-në. Bëhemi bashkë ta prishim mitin e UÇK-së. A kanë diçka tjetër, ndonjë program, përveç se ta rrëzojmë Ali Ahmetin dhe BDI-në, ta prishim Marrëveshjen e Ohrit dhe të gjitha të arriturave që i kemi bërë? Gjitha komunitetet që na janë bashkuar kanë parë të arriturat që i kanë arritur shqiptarët dhe atë që e ka bërë Ali Ahmeti me shokë për shqiptarët, tash do e benë edhe për boshnjakët, turqit, romët, por edhe për vet maqedonasit do i çon në Europe. Ju e dini atë haxhia i cili thotë: “Amerikës, ujit, rrymës dhe këtij Fronti mos i dil përpara se të shkel”, përfundoi Grubi fjalën e tij.

Blerim Bexheti potencoi se ashtu siç është e konceptuar marrëveshja e Ohrit, tani ne shqiptarët kemi kapacitetin që të bartim me vete, të ecim krahë për krah edhe me boshnjakët, turqit, romët etj.

“Ky bashkim, ky unifikim nuk është më vetëm për të drejta politike, pasi që ato në masë të madhe shqiptarët, nga mandati në mandat kanë arritur që ti realizojnë. Ky mandat dhe mandat që do jenë tani e tutje para nesh kanë të bëjnë edhe me aspektin ekonomik, kulturor, social. Vota juaj fillimisht për kandidatin për president Dr.Bujar Osmani është përcaktim i rrugës për fitoren e madhe të 8 majit. Ne kemi vizon, nuk kemi dal para jush që të shajmë dhe ofendojmë”, tha Bexheti.

Ilir Hasani tha se Saraji çdo herë është renditur në rrugën e drejt, andaj, u shpreh ai, edhe kësaj radhe “Fronti Europian” do të shënojë fitore.

“Deri më sot ne si parti politike si Bashkim Demokratik për Integrim kemi vepruar të vetme dhe ja kemi dal për 22 vite në fund punës që e kemi premtuar, në 22 vjet nuk kemi humbur asnjëherë. Për në 22 vite ja kemi dalë që ti mbajmë premtimet tona, duke filluar nga pushteti lokal dhe pushteti qendror, ndërsa sot të gjithë gëzohemi me Talat Xhaferin, me komandantin më të mirin të cilin sot e kemi edhe kryeministër”, tha Hasani.

Arben Ziberi foli për arritjet e shqiptarëve pas vitit 2001. Ai theksoi se para vitit 2001 nuk ka pasur asnjë shqiptarë nëpër institucione, ndërsa BDI me Ali Ahmetin e bëri ndryshimin e madh.

“Në të kaluarën neve shqiptarëve na është mohuar e drejtat e shkollimit e sot kemi arrit që të kemi tre universitete shtetërore ku gjenerojnë gjenerata të reja të përgatitura. Ndryshimin e kemi filluar ne dhe më së miri mund ta vazhdojë vetëm ky subjekt, politik dhe vetëm ky front”, potencoi Ziberi.

Munir Kolashinac tha se historia ka treguar se kurë shqiptarët dhe boshnjakët kanë qenë së bashku, në të njëjtën anë, ajo gjithnjë ka qenë kombinimi fitues.

“Kombinim fitues edhe për boshnjakët edhe për shqiptarët. Qëllimi ynë është që së bashku të sigurojë porsporitet dhe të ardhme më të mirë për qytetarët tanë. Besojmë dhe jemi të sigurt se me punë të përbashkët, respekti dhe besim të ndërsjell mund të bëjmë shumë punë për shtetin tonë të përbashkët”, nënvizoi Kolashinac.

Rafiz Haliti tha se mund ta kuptojë VMRO DPMNE-në që kërkon dobësimin apo shkatërrimin e BDI-së, por nuk mund ta kuptojë opozitën shqiptare

“Me ndryshimet kushtetuese të cilat i kërkon “Fronti Europian” që të bëhen, ne duam ta sjellim Evropën këtu, mjaftë kemi shkuar në Europë”, tha Haliti.

Hatixhe Topalli shtoi se oferta politike e “Fronitet Europian” është ofertë që garanton të ardhme më të mirë për brezat e ri.

“Edhe pse vij nga Çairi unë jam bijë edhe e Sarajit. Në të gjitha proceset tash e 22 vite kemi qenë bashkë në të gjitha hallet, sfidat dhe sukseset. Kështu do të jetë dhe do të vazhdojmë edhe në sfidat e radhës – më të fuqishëm dhe më të suksesshëm. Do të jem zëri juaj dhe do të mbrojë të gjitha projektet progresive. Oferta politike e “Fronitet Europian” është ofertë që garanton të ardhme më të mirë për brezat e ri. Ofertë që do të mbrojë interesat tona të përbashkëta”, tha Topalli.

Azem Sadiki informoi se në komunën e Studeniçanit po bëhet një mobilizim i madh dhe këtë iniciativë të kryetarit Ali Ahmeti, popullata e ka pranuar shumë mirë.

“Në të gjitha takimet e përditshme, të gjithë qytetarët e përshëndesin këtë iniciativë dhe na thonë vazhdoni se jeni të rrugë të drejt. Më 24 prill dhe 8 maj, të gjithë së bashku do ti gëzohemi fitores”, u shpreh Sadiki.

Naim Bajrami nga ASH tha se kemi qenë bashkë kur u bë kryeparlamentari i parë shqiptar, kemi qenë bashkë kur u bë kryeministri shqiptar, dhe tani jemi bashkë për presidentin e parë shqiptar.

“Jo vetëm partitë politike shqiptare, por është momentin historik që edhe komunitetet tjera, si romët, turqit, boshnjakët për ti bashkërenditur forcat me ne sepse kanë parë se shqiptarët tanimë janë faktor i pakontestueshëm politik. Kështu do të vazhdojmë fuqishëm së bashku”, tha Bajrami.