Fundoset anija në Mesdhe, vdesin 9 persona – 15 të tjerë të zhdukur

Nëntë persona, përfshirë një foshnje, kanë vdekur si pasojë e fundosjes së anijes së tyre,  ndërkohë që po përpiqeshin të kalonin Detin Mesdhe gjatë një stuhie.

Marketing

Fati i 15 personave të tjerë ende nuk dihet, sipas njoftimit të rojës bregdetare italiane të enjten.

Autoritetet e Maltës kërkuan ndihmën e Italisë të mërkurën pas fundosjes së anijes rreth 50 kilometra në juglindje të ishullit të Lampedusës. Roja bregdetare italiane njoftoi se ka dërguar një ekip të saj tek vendi i ngjarjes, duke “shpëtuar 22 të mbijetuar dhe gjetur trupat e 9 personave, përfshirë atë të një foshnjeje”, shkruan Voice of America.

Përkatësia kombëtare e personave në anije nuk dihet ende, por ishulli Lampedusa, që shtrihet në Mesdhe midis Tunizisë, Maltës dhe ishullit italian të Sicilisë, është porti i parë për shumë emigrantë që synojnë të shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian.